Zvicra lansoi programin prej rreth 70 milionë eurosh për Kosovën

Është lansuar Programi i ri i Bashkëpunimit i Zvicrës për Kosovën për periudhën 2026–2029, duke konfirmuar partneritetin afatgjatë dhe strategjik ndërmjet dy vendeve.

Programi u prezantua në një ngjarje të përbashkët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe partnerëve zhvillimorë, ku morën pjesë ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, drejtoresha e përgjithshme e Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Patricia Danzi, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ambasadori Sprecher theksoi se mbështetja zvicerane ka qenë e vazhdueshme dhe e fokusuar në mirëqenien e qytetarëve, ndërsa programi i ri shënon kalimin drejt një partneriteti më të avancuar dhe të ndërsjellë. Ndërkaq, Danzi nënvizoi se programi është i harmonizuar me prioritetet zhvillimore të Kosovës dhe synon të sjellë ndikim konkret në jetën e qytetarëve, përtej dimensionit financiar.

Kryeministri Kurti vlerësoi rolin e Zvicrës si një nga partnerët më të mëdhenj dypalësh dhe investitorët kryesorë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për rrugën evropiane të vendit. Ai nënvizoi se programi është në përputhje me objektivin strategjik të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.

Programi i Bashkëpunimit 2026–2029 parasheh një mbështetje financiare prej rreth 70 milionë eurosh dhe fokusohet në tri fusha kryesore: qeverisjen demokratike dhe paqen, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe tranzicionin e gjelbër, si dhe zhvillimin e barabartë njerëzor. Po ashtu, do të vazhdojë bashkëpunimi në fushën e migrimit.

Ky program përfaqëson një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke synuar forcimin e institucioneve, rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve në vitet e ardhshme. /RTKlive

Read Previous

I dyshuari për sulmin në Uashington akuzohet për tentativë atentati ndaj Trumpit

Read Next

Rizvanolli: KEK dhe KESCO arrijnë marrëveshje, nuk pritet rritje e tarifave