ZKA-ja gjen parregullsi në proceset e dhënies më qira të pronave nga AKP-ja

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka thënë institucioni që ajo e drejton ka dorëzuar në Kuvend dy raportet e auditimit të performancës dhe pajtueshmërisë për të Hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021 dhe funksionimin e sistemit të Grantit të performancës komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga donatorët për vitin 2021.

Në një konferencë për medie, Spanca ka thënë se rezultatet e këtyre auditimeve tregojnë se Institucionet përgjegjëse, qoftë ato që kanë për detyrë të menaxhojnë pronën shoqërore, po ashtu edhe ato që menaxhojnë projektet e financuara të donatorëve jo në të gjitha rastet kanë treguar përformancë të mirë për të përmbushur objektivat e tyre.

“ZKA, vlerëson se masa të shpejta rigoroze kërkohet të ndërmerren për të përmirësuar proceset e dhënies më qira të pronave të administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Gjithashtu, edhe komunat duhet të ndërmarrin veprime për të përmirësuar menaxhimin e granteve të donatorëve. Për sa i përket auditimit për ‘Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit’. Objektivi i këtij auditimi ishte të vlerësohet nëse Agjencia ka menaxhuar si duhet pronat dhe asetet tjera të dhëna me qira në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky auditim përfshinë procesin e dhënies së pronave dhe aseteve me qira për periudhën 2012 deri në vitin 2021 dhe ishte bërë më kërkesë të Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, e adresuar nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe e miratuar nga ana ime si Auditore e Përgjithshme”, ka thënë Spanca.

“Bazuar në atë çfarë kemi gjetur, konkluzioni i auditimit është se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dështuar të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave dhe aseteve të dhëna me qira të cilat ishin nën administrimin e sajë. ZKA, ka gjetur se, rreth 41% e mostrave të testuara, kanë rezultuar me parregullsi dhe vlera potenciale e humbjes nga këto raste të testuara që Agjencia e ka shkaktuar qoftë për shkak të veprimeve apo mos veprimeve në kuadër të kompetencave të saj është mbi 800 mijë Euro. Duhet theksuar se, kjo humbje potenciale është vetëm duke ju referuar vlerës së kontratave të Agjencisë, përndryshe humbja mund të jetë edhe më e lartë sikur të merrej për bazë vlera e çmimit të tregut për qiratë e pronave në zona të ngjashme”, ka thënë tutje ajo. /EO

Read Previous

SBAShK-u pajtohet me koeficientin 105 eurosh

Read Next

Top 5 transferimet e merkatos së janarit në futboll