Zhvillimi ekonomik i varur nga formimi i një qeverie stabile

Fuqizimi i sektorit privat dhe krijimi i vendeve të reja të punës duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Kosovës për vitin 2021, thonë ekspertët për çështje ekonomike, të cilët theksojnë se për t’u realizuar këto duhet të formohet një qeveri stabile.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka theksuar se Qeveria e re duhet me gjithë kapacitetin të angazhohet për rikuperim të dëmeve ekonomike, duke u fokusuar tek sektori privat.

Tutje, Rukiqi ka përmendur që Qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me një situatë të vështirë dhe të komplikuar për shkak të pasojave të shkaktuara nga Coronavirusi dhe masave kufizuese për parandalim e saj.

“Kjo qeverisje vjen në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, për shkak se kemi një gjendje ende të vështirë, në aspektin ekonomik si pasojë e pandemisë, pra Kosova gjatë vitit të kaluar për herë të parë është ballafaquar më një tkurrje ekonomike e cila ka ardhur ekskluzivisht si pasojë e pandemisë dhe kjo normalisht që do të lërë pasoja edhe këtë vit por edhe vitin tjetër pra nuk pritet një rikuperim i shpejtë i gjendjes ekonomike, pasi që rënia ekonomike si pasojë e pandemisë është menduar që do të rikuperohet më shpejtë në rrethana që pandemia do të zgjaste për një periudhë më të shkurtër kohore”.

Rukiqi tha se ndërrimi i shpeshtë i qeverive është një fatkeqësi për Kosovën, pasi situata jo e mirë politike krijon jostabilitet ekonomik.

“Unë besoj që kësaj here kemi një situatë pak më të qartë që është lajm i mirë, kemi thënë edhe në qëndrimet tona të mëhershme sa herë ka pasur thirrje për zgjedhje të parakohshme apo sa herë qeveritë nuk i kanë përfunduar mandatet që kjo është një fatkeqësi për Kosovën. Prandaj, besoj që një shumicë e konsoliduar parlamentare që tani pothuajse është e verifikuar do të ndikojë pozitivisht në kuptimin që do ketë stabilitet politik dhe stabilitetit politik është një parakusht për reformë ekonomike, dhe pjesa e dytë është krijimi i institucioneve”, ka thënë Rukiqi për EO.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, ka thënë se të gjitha vështirësitë në ekonomi janë krijuar si pasojë e ndryshimit të qeverisjeve dhe funksionimit të tyre jo të mirëfilltë.

“Besoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe Kuvendi të konstituohet sa më shpejtë të jetë e mundur por në të njëjtën kohë edhe të krijohet qeveria e re e cila do të reflektonte edhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, është më se e nevojshme që nga dita e parë e qeverisë së re dhe fokusi i saj të jetë në zhvillimin ekonomik por edhe në fusha të tjera që janë të rëndësishme e që lidhen në njërën anë ose tjetrën me zhvillimin ekonomik”.

“Duke e pasur parasysh që edhe gjatë vitit të kaluar realisht ne kemi pasur vështirësi në funksionimin e mirëfilltë të institucioneve, për shkak se e kemi nisur vitin me një qeveri në detyrë pastaj e kemi pasur një qeveri e cila nuk ka zgjatur shumë dhe sërish pjesën më të madhe të ditëve të saj ka qenë në qeveri në detyrë me kufizime në operim”,ka thënë Zeka për EO.

Read Previous

‘Ikonike’: NASA publikon fotot e para pas uljes në Mars

Read Next

Kjo recetë shëron gjëndrën tiroide, përshpejton metabolizmin!