Zgjedhjet në veri, Qeveria fton partitë nga komuniteti serb që të regjistrohen

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet për kryetar komunash në katër komunat veriore të vendit, ndërkaq sot është afati i fundit ku partitë politike mund të regjistrohen për të marr pjesë në zgjedhjet për kryetar komunash.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ftoi komunitetin serb që ta shfrytëzojë këtë mundësi.

“Unë i ftojë të gjithë kandidatët, politikanët, partitë politike që dëshirojnë të përfaqësojnë, të angazhohen në vendin tonë të përbashkët edhe nga komuniteti serb që ta shfrytëzojnë ditën e fundit për kandidim përmes aplikimit. Është dita e sotme, 22 mars 2023 për zgjedhjet e 23 prillit.

Pra, është shumë me rëndësi që të gjithë ata që dëshirojnë të angazhohen për politika publike në nivelin komunal në veri dhe të cilët dëshirojnë të përfaqësojnë politikisht interesat e qytetarëve, në këtë rast pakicës serbe t’i shfrytëzojnë këto orë të fundit të mundësisë për të aplikuar”, ka thënë Kurti.

Ai tha më tej se nuk ka bërë thirrje për kthim në institucione, por siç tha ai ka bërë thirrje për aplikim të ri të të gjithë atyre që janë të interesuar jo vetëm në politikë, por edhe në shërbim publik si policia, shëndetësia, arsimi, etj.

“Të gjithë serbët e kanë këtë të drejtë si qytetarë të vendit tonë dhe duhet ta shfrytëzojnë atë. Pra, atij i cili hodhi uniformën e Republikës së Kosovës unë si them dot kthehu, ose atij, që shkoi dhe mori medalje në Beograd pas dorëheqjes. Mirëpo, të tjerët që janë të interesuar padyshim që e mirëpresim aplikimin e tyre. Nga informatat që i kam nga Ministria e Punëve të Brendshme sa vie e rritet aplikimi i serbëve në këtë kohë madje dhe konvertimi i targave”, ka thënë Kurti. 

/Telegrafi/

Read Previous

Putin: Plani i Kinës mund të sjellë paqen, por këtë nuk e do Ukraina dhe Perëndimi

Read Next

Prokuroria: Agim Ademi dërgohet në mbajtje për 48 orë