Reforma zgjedhore, Berisha: Opozita kërkon vetëm lista të hapura

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se bashkëkryetari i Partisë Socialiste, në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, po shkel ligjin duke përcaktuar në mënyrë të njëanshme agjendën e mbledhjeve të komisionit.

Gjatë një konferencë për shtyp, Berisha tha se përcaktimi i rendit të ditës pa miratimin e bashkëkryetarit tjetër është në kundërshtim me vendimin e Kuvendit për funksionimin e komisionit. Sipas tij, kjo bëhet me qëllim pengimin e punës së komisionit.

Berisha iu referua thirrjes së mbledhjes së sotme të komisionit.

“E vërteta është se Damian Gjiknuri në kundërshtim me ligjin, vendimin e parlamentit për komisionin e reformës zgjedhore, për ta hedhur në erë këtë komision, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme axhendën çka nuk ka ndodhur kurrë. Pikërisht për të hedhur në erë komisionin, sepse vendimmarrja në këtë komision është me veto, secila palë, të dy bashkëkryetarët”, tha ai.

Ai bëri të ditur se Partia Demokratike nuk do të pranojë asnjë kompromis për listat e kandidatëve, duke kërkuar lista plotësisht të hapura si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për këshillat bashkiakë.

“Ata refuzojnë që listat për këshilltarët e bashkive të jenë të hapura, e cila është një kërkesë e të gjitha partive politike opozitare. Dhe ne, në mënyrë kategorike, nuk pranojmë asnjë lloj liste tjetër përveçse listë të hapur për këshilltarët. Nuk pranojmë dhe nuk do pranojmë asnjë lloj sistemi tjetër përveçse listë të hapur për zgjedhjet parlamentare. Listë plotësisht të hapur për zgjedhjet parlamentare Për këtë ne jemi shumë, shumë transparent dhe të qartë”, tha ai.

Berisha tha se përfaqësuesit e PD-së kanë shqyrtuar propozimet e forcave të tjera politike opozitare dhe kanë konstatuar se ato bashkohen në kërkesën për lista plotësisht të hapura.

“Partia Demokratike do të qëndrojë me opozitën dhe opozitarët dhe nuk do të bëjë në këtë drejtim asnjë kompromis me partinë e krimit”, tha Berisha. /ATSH/

Read Previous

​A do të lirohen sërish derivatet e naftës? Flet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve

Read Next

Sfida ndaj Finlandës, Etrit Berisha: Fati është në duart tona