Putin: Plani i Kinës mund të sjellë paqen, por këtë nuk e do Ukraina dhe Perëndimi

Sipas presidentit rus, Vladimir Putin, plani kinez i paqes realisht mundet t’i sjellë fundin luftës në Ukrainë dhe të zhvillojë tratativa serioze paqeje.

Mirëpo, diçka të tillë, nuk e do Ukraina dhe Perëndimi.

Janë këto përfundimet e kreut të Kremlinit, pas vizitës që homologu i tij rus, Xi Jinping, zhvilloi në Moskë, pikërisht për të promovuar edhe planin e tij 12-pikësh, i cili e përfshin respektimin e sovranitetit territorial të vendeve, por pa specifikuar asnjë delimitim.

Kievi është i qartë dhe shumë herë është theksuar prej presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se pa tërheqjen e plotë të forcave ruse nga kufijtë e vendit të tij, nuk ka asnjë tryezë për bisedime.

Të qartë po ashtu janë edhe perëndimorët, të cilët plotësisht e mbështesin qëndrimin e Zelenskyt dhe i bëjnë ballë agresionit rus.

Luftimet nga ana tjetër vijojnë pa ndërprerje në disa fronte, ku sulmet e fundit kanë qenë të përqendruar në goditjet me dron.

Fillimisht, ka qenë pala ukrainase, ajo e cila sulmoi një vagon rus të transportit të municioneve, ku shkatërroi disa raketa.

Ndërsa, një ditë më pas, Moska menjëherë është kundërpërgjigjur, me sulme të mëdha në disa qytete, përfshi Kievin, ku dronët kamikazë iranianë janë vënë në përdorim.

Këta të fundit, në shumicën e rasteve, janë neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes në Ukrainë dhe janë shkatërruar.

Por, sërish, thelbi i gjithë çështjes mbetet gjeopolitik, ku Perëndimi shqetësohet më së shumti nga ndikimi që Xi Jinping do të ketë në raport me Moskën, nëse ai do ta ndihmojë aleatin e tij, Putinin, apo do ta bindë t’i japë fund marrëzisë. /Albanianpost.com

Read Previous

Osmani: Serbia u tregoi ndërkombëtarëve se nuk do të respektojë marrëveshjet, Kosova s’heq dorë

Read Next

Zgjedhjet në veri, Qeveria fton partitë nga komuniteti serb që të regjistrohen