Zelensky tregon pse po shkon ngadalë kundërsulmi ukrainas

Kundërsulmi ukrainas nuk ka qenë i lehtë dhe “po rrjedh ndoshta më ngadalë” nga sa kishin shpresuar disa prej zyrtarëve, thotë Volodymyr Zelensky.

Këto komente të presidentit ukrainas erdhën pas një takimi me mediat e Amerikës Latine të cilat e pyetën rreth raportimi të CNN-it, ku disa zyrtarë perëndimorë kanë vlerësime gjithnjë e më “të matura” lidhur me aftësinë e forcave ukrainase për të rikthyer territoret e pushtuara nga Rusia.

“Por e gjithë kjo është dytësore. Në disa vende ka mina, në disa vende ka vështirësi teknike, në disa vende kemi pritur gjatë. Ose ka komplikime të tjera. Mund të diskutojmë për një kohë të gjatë”, tha Zelensky.

“Kah po shkon kundërsulmimi, çfarë nuk shkon, çfarë na mjafton, çfarë na mungon. Kundërsulm do të thotë kur ushtria sulmon dhe jo kur ajo mbrohet. Dhe ky është një moment i rëndësishëm dhe pozitiv. Ukraina është ajo që ka iniciativën. Është shumë e vështirë të luftosh për një kohë kaq të gjatë – gjë që është e qartë. E gjithë kjo është shumë e vështirë kur ju mungon kjo apo ajo pajisje. E di që është e vështirë për ne, por përfundimisht e di që është edhe më e vështirë për rusët”, shtoi lideri ukrainas.

Ndërsa ka lodhje në sytë e ukrainasve, ka frikë në sytë e rusëve, shtoi presidenti.

Ndryshe, sfidat kryesore të forcave ukrainase janë thyerjet e linjave mbrojtëse shumështresore të Rusisë në pjesët lindore dhe jugore të vendit – dhjetëra mijëra mina dhe rrjete të gjera llogoresh. /Telegrafi/

Read Previous

Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, kërkojnë kthimin në kuadër të Korporatës

Read Next

Letra e politikanëve të huaj që kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë – si e shohin analistët?