Yayoi Kusama, artistja e pikave e pasqyrave ka vdekur në moshën 97-vjeçare

Artistja japoneze Yayoi Kusama, e njohur në mbarë botën për pikat e saj karakteristike dhe “dhomat e pafundësisë”, ka vdekur më 14 gusht në Tokio, në moshën 97-vjeçare. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, ka shkruar The Washington Post.

Në 2023, dyqani kryesor i brendit “Louis Vuitton” në Paris u mbulua me pika dhe një manekin të madh fryrë të artistes japonez, që u kompletua me flokët e kuqe të stilit të saj personifikues.. Fotografi nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Kusama ishte një nga figurat më të veçanta të artit bashkëkohor. Nga një artiste thuajse e panjohur, ajo u shndërrua në një emër ndërkombëtar, me vepra të ekspozuara në muzetë më të mëdha të botës.

Yayoi Kusama lindi më 22 mars 1929 në Matsumoto të Japonisë. Që në fëmijëri ajo përjetonte halucinacione: thoshte se shihte modele dhe forma që mbulonin gjithçka, ndërsa lulet, kungujt dhe kafshët dukej sikur i flisnin.

Kusama kur ishte fëmijë

Një psikiatër e inkurajoi të pikturonte atë që shihte. Kështu, arti u bë mënyra e saj për të përballuar frikën dhe botën e pazakontë që përjetonte.

“Nuk e konsideroj veten artiste. E ndjek artin për të korrigjuar paaftësinë që filloi në fëmijërinë time”, pati shkruar ajo në një autobiografi të vitit 1975.

Nëna e saj nuk e mbështeste dëshirën për t’u bërë artiste dhe i hidhte pikturat. Megjithatë, Kusama nuk hoqi dorë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo punoi në një fabrikë ku qepte parashuta për ushtrinë japoneze. Pas luftës studioi art dhe nisi të ëndërronte për Amerikën.

Nga Japonia në New York

Pamje te artit të krijuar nga Kusama. Fotografi nga Associated Press.

Në vitin 1957, Kusama u zhvendos në SHBA, ndërsa në vitin 1959 pati ekspozitën e saj të parë solo në New York.

Aty filloi serinë e famshme “Infinity Nets”, ku kanavacat mbusheshin me mijëra vija dhe forma të përsëritura.

Jeta në New York ishte e vështirë. Ajo jetonte në kushte të varfra dhe shpesh pikturonte për orë të tëra pa pushim.

“Meqë nuk mund të flija, ngrihesha dhe përballesha me kanavacën. Vazhdoja të pikturoja rrjetat deri në agim. Ditë pas dite, harroja të ftohtin dhe urinë duke pikturuar”, ka thënë ajo.

Në vitet 1960, ajo u bë pjesë e skenës avangarde të New Yorkut dhe u njoh me artistë si Andy Warhol, Frank Stella, Claes Oldenburg dhe Donald Judd.

Pikat, pasqyrat dhe “pafundësia”

Pamje te artit të krijuar nga Kusama. Fotografi nga Associated Press.

Kusama zhvilloi një stil që u bë i pamundur për t’u ngatërruar me dikë tjetër: pika, rrjeta, ngjyra të forta dhe forma të përsëritura.

Ajo krijoi gjithashtu instalacione të mbushura me pasqyra dhe drita, të njohura si “Infinity Mirror Rooms”, (Dhomat e Pasqyrave të Pafundësisë).

Pamje te artit të krijuar nga Kusama. Fotografi nga Associated Press.

Brenda tyre, vizitorët gjenden mes pasqyrave dhe qindra dritave, duke krijuar ndjesinë sikur hapësira vazhdon pa fund.

Këto vepra u bënë jashtëzakonisht të famshme në epokën e Instagramit. Njerëzit prisnin me orë të tëra vetëm për të kaluar disa minuta brenda tyre.

Një artiste që sfidoi tabutë

Në vitet 1960, Kusama nuk u kufizua vetëm te piktura. Ajo organizoi performanca provokuese, shpesh me njerëz të zhveshur, dhe i përdori ato për të kritikuar shoqërinë konservatore, patriarkatin dhe luftën në Vietnam.

Në vitin 1968, gjatë një performance të quajtur “Nixon Orgy”, ajo bëri një deklaratë provokuese.

“Shpërthimet anatomike janë më të mira se shpërthimet atomike”, pati thënë ajo.

Në vitin 1966, ajo ka shkuar pa ftesë në Bienalen e Venecias dhe vendosi 1,500 sfera pasqyre në atë që e quajti “Narcissus Garden”. I shiste ato për dy dollarë secilën.

Kusama shpesh akuzonte artistë të tjerë se po kopjonin idetë e saj. Kjo e bëri atë edhe më kontroverse në botën e artit.

Tërheqja dhe lufta me veten

Pamje te artit të krijuar nga Kusama. Fotografi nga Associated Press.

Në vitet 1970, karriera e saj ra dhe gjendja e saj psikologjike u përkeqësua. Pas disa tentativave për vetëvrasje, në vitin 1975 ajo u shtrua në një spital psikiatrik në Tokio.

Në vitin 1977 vendosi të jetonte aty përgjithmonë.

Megjithatë, ajo nuk hoqi dorë nga arti. Ajo punonte në studion e saj, pranë spitalit, dhe vazhdoi të krijonte për dekada.

Pas afro dy dekadash larg skenës amerikane, Kusama u rikthye gradualisht në vëmendjen ndërkombëtare. Në vitin 1989 u organizua një retrospektivë e rëndësishme në New York, e cila ndihmoi në ringjalljen e karrierës së saj.

Nga artiste e harruar në ikonë botërore

Në vitin 1993, ajo përfaqësoi Japoninë në Bienalen e Venecias me një ekspozitë solo, një arritje e jashtëzakonshme.

Më vonë, veprat e saj u ekspozuan në muze si “Museu i Arteve Moderne” në New York, “Tate Modern” në Londër dhe “The Broad” në Los Angeles.

Në vitin 2006, ajo u bë gruaja e parë që mori “Praemium Imperiale”, një nga çmimet më prestigjioze të artit në Japoni.

Ajo gjithashtu hapi muzeun e saj në Tokio.

Fama e saj u zgjerua përtej galerive. Pikat e saj u shfaqën në rroba, çanta dhe produkte të ndryshme.

Pamje te artit të krijuar nga Kusama në dyqanet e brendit “Louis Vuitton”. Fotografi nga Associated Press.
Pamje te artit të krijuar nga Kusama në dyqanet e brendit “Louis Vuitton”. Fotografi nga Associated Press.

Në vitin 2012 bashkëpunoi me gjigandin e veshjeve “Louis Vuitton” dhe disenjatorin e mirënjohur Marc Jacobs, ndërsa në vitin 2019 krijoi edhe një balonë për Paradën e Falënderimeve të Macy’s në New York.

Parada e Falënderimeve në Macy’s 

Një trashëgimi e jashtëzakonshme

Kusama mbeti aktive për pjesën më të madhe të jetës së saj. Edhe pse përjetoi izolim, kritika, probleme të rënda personale dhe periudha të errëta, ajo e shndërroi përvojën e saj në art.

Pamje te artit të krijuar nga Kusama. Fotografi nga Associated Press.

“Nuk ka kaluar asnjë ditë kur të mos kem menduar për vetëvrasjen, por tani jam shumë e lumtur që jam gjallë”, ka thënë ajo në vitin 1997.

Dhe një nga thëniet e saj më të fuqishme për jetën ishte: “Fati më dha një jetë të trishtuar, por mendoj se fitova një jetë të lumtur”.

Pamje te artit të krijuar nga Kusama. Fotografi nga Associated Press.

Read Previous

E kryer, Bradley Barcola mund të cilësohet lojtar i ri i Liverpoolit

Read Next

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga Zvicra