Shkrimet e Mahatma Gandit shiten për 1,7 milionë dollarë

Një koleksion prej 688 shkrimesh të Mahatma Gandit është shitur në ankand në Mumbai për 1,7 milionë dollarë ose rreth 1,45 milionë euro duke vendosur një rekord për një dokument historik indian të shitur në ankand.

Sipas shtëpisë indiane të ankandeve ”Saffronart”, dokumentet përbëhen nga shkrime të përditshme të Gandit, të hartuara gjatë viteve 1944–1946 për bashkaktivistin e tij Anand T. Hingorani.

Shkrimet u mblodhën në një vëllim të titulluar ”Mendimi i ditës”.

Dokumentet trajtojnë një sërë temash, përfshirë të vërtetën, Zotin dhe parimin e jodhunës, duke ofruar një pasqyrë të mendimit dhe jetës së liderit të lëvizjes së pavarësisë së Indisë.

”Ky koleksion ofron mundësinë për të parë një nga figurat më të rëndësishme në historinë indiane përmes lentes së një marrëdhënieje personale”, tha Dinesh Vazirani, bashkëthemelues i ”Saffronart”.

Sipas tij, shitja dëshmon interesin e vazhdueshëm për jetën dhe trashëgiminë e Gandit.

Mahatma Gandhi udhëhoqi një lëvizje paqësore kundër sundimit kolonial britanik dhe u bë një prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX, duke frymëzuar lëvizje të ngjashme jo të dhunshme në mbarë botën.

Gandhi u vra në janar të vitit 1948, disa muaj pas pavarësisë së Indisë. /ATSH-AFP/

Read Previous

Jannik Sinner nuk do të marrë pjesë në US Open për shkak dëmtimi

Read Next

Studimi: Inteligjenca artificiale po i bën nxënësit të mendojnë më pak