Vuçiq shprehu keqardhje që Serbia ka liruar Kurtin nga burgu, Kusari-Lila: Njëjtë si Putini, i duan kundërshtarët në burg

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila ka reaguar pas fjalimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në seancën e Kuvendit të Serbisë, lidhur me lirimin e Albin Kurtit nga burgu i Serbisë, pas përfundimit të luftës në Kosovës.

Vuçiq gjatë dy ditëve të kaluara në një seancë të veçantë të Kuvendit të Serbisë për Kosovën disa herë ka shprehur keqardhjen që Kurti nuk është ende nëpër burgjet serbe dhe që është liruar.

“Presidenti i Serbisë ndien keqardhje në Parlamentin serb, pse ish presidenti i ish-Jugosllavisë e kishte liruar nga burgu të burgosurin politik, Albin Kurti, tani kryeministër i Kosovës.

Putini në Rusi, dhe ngjashëm Vuçiqi në Serbi i duan kundërshtarët e tyre në burg”, shkruan Kusari-Lila, në postimin në Twitter ka etiketuar shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.


Ndryshe, lidhur me deklaratën e Vuçiqit kishe reaguar edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Deputeti shqiptar në Kuvendin serb ka thënë se e gjithë fajësia për tensionet e ngritura kohëve të fundit, po bartet mbi Kosovën. Sipas tij, e gjithë kriza po personifikohet me figurën e kryeministrit Kurti.

“Albin Kurti nuk është as monstrum e as terrorist. Ai është Kryeministër i zgjedhur në mënyrë legjitime i Qeverisë së Kosovës. Si të tillë do duhej ta pranonit dhe me të të arrinit marrëveshje”, ka thënë Kamberi teksa i është drejtuar Vuçiqit.

Tutje, ai ka deklaruar se i vjen keq që Vuçiqi dje disa herë ka shprehur keqardhjen që Kurti nuk është ende nëpër burgjet serbe.

“A nuk do duhej rasti i tij dhe rasti i dhjetëra mijëra të rinjve shqiptarë të arrestuar atëkohë të ju shërbejë si dëshmi më e mirë për politikën e gabuar e represive të Serbisë në Kosovë? Keni arrestuar një të ri, keni fituar një Kryeministër me të cilin duhet patjetër të bisedoni e të arrini marrëveshje”, është shprehur Kamberi. /Telegrafi/

Read Previous

Moti ne Gjakovë

Read Next

Takimi Erdogan-Kurti, çfarë u tha për dialogun dhe fushën e ekonomisë