Reagimi i Kusari-Lila mbi ngjarjen e fundit në Pejë: Dënimi maksimal është minimumi për vrasësit

Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas vrasjes së gruas nga burri i saj në Pejë.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila, shkruan se vrasjet e dy grave brenda pak ditësh në Kosovë, është alarmante dhe tregon për çrregullim të rëndë social dhe një rrugë tranzicioni pa mekanizma sigurues në shoqërinë tonë në rrugëtimin drejt barazisë.

“Viktima e dytë e femicidit në Kosovë brenda pak ditëve, nga Ferizaji në Pejë. Viktima e sotme prapë e vrarë nga bashkëshorti në shtëpinë e saj. Kjo është alarmante dhe tregon për çrregullim të rëndë social dhe një rrugë tranzicioni pa mekanizma sigurues në shoqërinë tonë në rrugëtimin drejt barazisë. Numër alarmant i burrave në shoqëri po e konsiderojnë të drejtën absolute deri në vrasje, ndaj gruas dhe kjo kërkon trajtim serioz në të gjitha nivelet”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila, poashtu tha se dënimi maksimal është minimumi për vrasësit, ndërsa ngushëlloi edhe familjen e gruas që u vra sot në Pejë.

“Dënimi maksimal është minimumi për vrasësit, ndërsa trajtimi i normave shoqërore në thelbin e tyre duhet rishikuar dhe ridefinuar. Nuk mund të humbim vajzat dhe gratë ndaj dhunës së pakontroll që po shpërfaqet brutalisht çdo ditë e më shumë. Ngushëllime familjes të së ndjerës për humbjen e madhe”, shkroi Kusari-Lila. /Klankosova.tv/

Read Previous

Zelensky: Aleatët të mbrojnë Ukrainën ashtu siç mbrojtën Izraelin

Read Next

Muhaxheri për rastin në Pejë: Vështirë të flitet për trishtimin që po përjeton qyteti ynë