Von der Leyen: BE-ja duhet të bëjë plane emergjente për ndërprerjen e plotë të gazit rus

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të bëjë plane emergjente për t’u përgatitur për një ndërprerje të plotë të gazit rus.

BE-ja ka vendosur tashmë sanksione ndaj Rusisë, duke përfshirë furnizimet me energji, dhe po përpiqet të gjejë burime të tjera.

Von der Leyen tha se blloku duhej të ishte gati për ndërprerjet shokuese që vinin nga Moska.

Ndërsa liderët evropianë kanë thënë se ata nuk do të mund t’i përballojnë pasojat e një bojkoti të menjëhershëm. Në vend të kësaj, ata planifikojnë të zvogëlojë përdorimin e gazit rus sa më shpejt që të munden. Liderët, po ashtu, kanë porositur më shumë gaz të lëngshëm natyror, që transportohet me anije. Po ashtu, janë duke kërkuar alternativa të furnizimit, siç janë tubacionet nga vendet si Norvegjia dhe Azerbajxhani dhe, po ashtu, po punojnë në ngritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë përmes erës dhe diellit dhe po nxisin masat për ruajtjen e gazit.

Qëllimi është që të hiqet dorë nga gazi rus për dy të tretat deri në fund të vitit dhe deri më 2027, Evropa të heqë dorë plotësisht nga gazi rus. Ende nuk dihet nëse ky qëllim do të arrihet, pasi furnizimet e gazit natyror janë të kufizuara, ndërkaq terminalet e eksportit kanë mbushur kapacitetet e tyre.

Read Previous

​Gjatë këtij muaji pritet të finalizohet strategjia për arsim

Read Next

Parlamenti Evropian miratoi rezolutën që bën thirrje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë