Vizita e ish-presidentëve shqiptarë në Hagë bën jehonë ndërkombëtare

Një vizitë e tre ish-presidentëve shqiptarë në Hagë, si iniciativë e ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka rrokur vëmendjen e mediave ndërkombëtare për nga veçantia dhe domethënia e saj.

Ish-krerët e shtetit, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, të shoqëruar nga deputeti dhe ish-kryeministri Pandeli Majko, së bashku me Pacollin, kanë flutuar drejt Hagës për të takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të treguar simbolikisht mbështetjen e qartë ndaj tyre.

Mbi këtë lajm të raportuar nga mediat në Shqipëri e Kosovë, kanë raportuar edhe mjaft media të mëdha botërore, si Washington Post, Associated Press apo ABC News.

“Politikanët shqiptarë takojnë liderët kosovarë në Hagë”, shkruhet në titujt e prestigjiozeve botërore, ku shpjegohet edhe gjithë simbolika që fshihet pas takimeve.

Ish-presidentët shqiptarë pritet të takohen me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-deputetin Rexhep Selimi dhe të tjerët, që si ish-krerë të UÇK-së po mbahen në paraburgim nga Haga, nën akuza të ngritura ndaj tyre në bazë të raportit të hartuar nga Dick Marty.

Këtë raport, Shqipëria e ka dënuar me anë të një rezolute, të cilën e ka depozituar në Këshillin e Evropës, ku pritet edhe ta mbrojë e të kërkojë zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Në maj, ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai i cili zhvilloi një takim me Thaçin në paraburgimin e Hagës.

Me vizitën e Meidanit, Moisiut dhe Topit, këta të tre bëhen ish-zyrtarët më të lartë shqiptarë, të cilët i vizitojnë ish-krerët e UÇK-së.

Aktakuza

Më 26 tetor të vitit 2020, në Gjykatën Speciale në Hagë u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se ish-krerët e UÇK-së dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën.

Kjo, përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e supozuara të luftës së ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 29 prill të 2022, e njëjta zyrë do të dorëzonte aktakuzën e ndryshuar kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Në njoftim thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja.

Këto të fundit u referohen krimeve që pretendohet të jenë kryer në Gjilan dhe në fshatrat e Suharekës. /Albanianpost.com

Read Previous

BE-ja ia shton 5.25 milionë euro buxhetit të Kosovës

Read Next

​Mehaj: Tjetër arritje për FSK-në