Vetëm shtatë vende nuk e kanë “shkelur” Shqipërinë në 2023

Në një kohë që Shqipëria është “dyndur” nga turistë të huaj këtë vit, si asnjëherë më parë, kanë ngelur pak shtete që nuk na kanë vizituar.

Më saktësisht, gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti rezulton të jenë shtatë vende në të gjithë botën nga të cilat nuk është regjistruar asnjë hyrje në vendin tonë.

Më saktësisht ato janë: Belize, Eritrea, Greenland, Santa Lucia, Lesotho, Mayotte dhe British Indian Ocean Territory, raporton Tema.

Ky i fundit është një territor britanik i përtej detit i populluar nga jo më shumë se 3 mijë banorë, të gjithë personel ushtarak ose kontraktorë. E njëjta gjë vlen edhe për Mayotte, por si një territor përtej detit i Francës, dhe me një popullsi prej rreth 30 mijë banorësh. Në rastin e Groenlandës kemi të bëjmë me një territor autonom prej rreth 56 mijë banorësh.

Shteti me popullsinë më të madhe ndër ta është Eritreta, me një popullsi të vlerësuar mes 4 dhe 7 milionë banorësh. Pra në total, këto 7 shtete nuk përfaqësojnë më shumë se 8-10 milionë banorë.

Gjithsesi, këto janë 7 lokalitetet e vetme nga të cilat Instat nuk raporton asnjë hyrje të shtetasve të huaj në vendin tonë sa i përket 7 muajve të parë të vitit.

Por, ka edhe disa shifra të tjera që bien në sy nga analiza e numrave, duke vënë disi në pikëpyetje cilësinë e statistikave publike për të disatën herë. Nëse shohim hyrjet e shtetasve nga Korea e Veriut në vendin tonë, ato figurojnë pranë 1872. Kjo shifër duket absurde duke pasur parasysh së bëhet fjalë për vendin më të izoluar në botë sot. Madje, sipas Instat, turistët nga Korea e Veriut në Shqipëri këto 7 muaj kanë qenë më të shumtë në numër se ata nga Korea e Jugut, me 1760 të tillë.

Madje, sipas Instat, 1759 ndër 1760 shtetasit e huaj nga Korea e Jugut që kanë hyrë në Shqipëri këto 7 muaj, kanë hyrë të gjithë në muajin Prill, pra 99.95% e totalit. Korea e Veriut, sipas këtyre shifrave renditet e 6-ta ndër vendet aziatike sa i përket origjinës së turistëve të huaj në vendin tonë. Këto numra flasin qartazi për një gabim në të dhëna. Edhe pse bëhet fjalë për diçka më pak se 2 mijë turistë, këto shifra cënojnë edhe një herë kredibilitetin e statistikave publike në vendin tonë. Më parë pikëpyetje janë ngritur për tregues si inflacioni, apo edhe tregues të tjerë.

Në sy bien edhe gabime të tjera nga këto statistika publike, siç është vendosja e Skocisë si shtet më vete, në një kohë që Mbretëria e Bashkuar është pjesë e listës, pavarësisht faktit se nga Skocia raportohen vetëm 5 hyrje në 7 muaj.

Pra, në rast se numrat e tjerë janë të saktë, atëherë duket se Shqipërinë këtë vit e kanë vizituar pjesa dërrmuese e shteteve të botës dhe vetëm shtetasit nga 7 entitete, realtivisht mjaft të vogla nuk duket ta kenë `shkelur` tokën tonë gjatë këtij viti. Ndërkohë, problematika e cilësisë së statistikave publike bëhet cdo ditë edhe më emergjente për t`u zgjidhur. /Telegrafi/

Read Previous

Atiq: Largohem përmes peticionit, nuk e shoh të arsyeshme të jap dorëheqje

Read Next

Kthehen 1.1 milionë nga vjedhja në Thesar, Bajrami: Duhet të kthehet çdo cent