Vendi ku i gjithë fshati voton për 30 sekonda

Në një fshat të Spanjës, procesi i votimit për zgjedhjet vendore për të gjithë banorët zgjati më pak se 30 sekonda. Të shtatë votuesit e regjistruar të fshatit Villaroya, një komunitet i vogël i provincës La Rioja, thyen të dielën rekordin e vendosur në zgjedhjet e kaluara, ku të gjithë votuan për 32 sekonda.

Ata zgjodhën sërish në detyrë kryebashkiakun Salvador Perez, i cili mban këtë post prej vitit 1973.

“Nuk e di nëse do t’i marr të shtatë votat, por me siguri që po”, tha ai për mediat spanjolle para shpalljes së rezultatit. Dhe ashtu ndodhi.

Perez shpjegoi se banorët janë të trajnuar shumë mirë dhe ishin gati të votonin sapo u hap qendra. Atyre iu deshën 29 sekonda e 52 të qindtat për të mbyllur procesin. Ai shtoi se ky zell ndoshta vinte nga konkurrenca me një tjetër bashki të vogël, të fshatit Illán de Vacas në krahinën Castilla-La Mancha, që ka vetëm tre votues të regjistruar.

Zgjedhjet lokale në Spanjë shihen si test për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në fund të vitit. Sipas raportimeve, socialistët, që drejtojnë ekzekutivin, do të humbin shumicën e bashkive, që do të drejtohen nga të djathtët e Partisë së Popullit. /A2CNN

Read Previous

Sezon “ëndrrash”, Luton siguron ngjitjen në Premier League dhe përfiton shifrën “faraonike”

Read Next

Fitimet e korporatave po e nxisin rritjen e çmimeve në botë