Vazhdon dhuna ndaj grave në Kosovë, raportohen disa raste në rajone të ndryshme

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, është shndërruar në një rutinë të pandashme. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për tradhti, abuzimi me alkool, substanca narkotike  e bixhoz.

Disa raste të tilla kanë ndodhur dy ditët e fundit në qytete të ndryshme të Kosovës, për çka Policia ka marrë masa dhe ka arrestuar personat e dyshuar.

Një grua në Lipjan ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi bashkëshorti i saj dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Bazuar në dëshminë e saj dhënë organeve të hetuesisë, 59-vjeçari dyhsohet se ka tentuar edhe ta sulmojë fizikisht. Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku para hetuesve ka thënë se ai ka vepruar kështu pas dyshimeve se bashkëshortja po e tradhton. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në një përleshje janë përfshirë edhe dy motra në lagjen Kalabria në Prishtinë dhe si pasojë të dyjat kanë përfunduar në stacion policor si të dyshuara për dhunë në familje. Gjatë intervistimit në Polici, ato kanë shprehur pendimin e tyre për ngjarjen dhe me urdhër të prokurorit, ato do të hetohen në liri.

Viktima të dhunës shpesh janë edhe gratë që vendosin të ndajnë rrugët me partnerët e tyre.

Kështu ka ndodhur në fshatin Xërxë të Rahovecit, ku një person dyshohet se ka kërcënuar ish bashkëshorten e saj, me të cilën është ndarë që disa muaj. 31-vjeçarja ka njoftuar Policinë se i dyshuari gjatë kohës që ishin bashkë ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike dhe kjo ishte arsyeja e ndarjes. Pas denoncimit, Policia ka arrestuar 34-vjeçarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift nga fshati Bërrnicë e Ulët në Prishtinë, pasi burri dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij. Si pasojë e dhunës, viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.

Në të gjitha rastet e mësipërme janë iniciuar raste të ndara për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Kujtojmë që dhuna në familje në shumë raste ka përfunduar edhe me fatalitet. Lista me emrat e grave të vrara nga bashkëshortët e tyre, zgjatet nga viti në vit. E për këtë shumë shpesh janë fajësuar edhe institucionet e drejtësisë, për shkak se sipas raportimeve ndër vite, të gjitha viktimat, më parë kanë denoncuar dhunën ndaj tyre, mirëpo thirrja e tyre për ndihmë kishte hasur në vesh të shurdhër.

Rastet makabre të vrasjeve ndaj grave në të shumtën e rasteve janë përcjellë me protesta të shumta nga qytetarët e revoltuar.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Krasniqi: 18% e popullsisë po jetojnë me 45 euro në muaj

Read Next

De Biasi: Shpresoj të konkretizohet dëshira ime, dua ekip me objektiva