Vazhdojnë reshjet e shiut, rrezik për vërshime në veri e veriperëndim të vendit

Reshjet e shiut që shkaktuan vërshime në Kosovë gjatë javës së kaluar, janë rikthyer këtë të hënë dhe pritet të vazhdojnë së paku edhe të martën.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshje në intensitet të lartë do vazhdojnë për këto dy ditë e pritet të qetësohen në ditët tjera.

Si pasojë e kësaj, Bashkim Kastrati nga ky Institut, ka bërë të ditur se cilat rajone të Kosovës janë më të rrezikuara nga vërshimet.

“Edhe gjatë ditëve në vijim planifikohet që do të ketë reshje, sot e nesër. Fatkeqësisht duke pasur parasysh që nivelet e lumenjve kanë qenë të larta gjatë vërshimeve duhet të kemi kujdes pasi mund të ketë sërish vështërsi në disa zona. Sasia e reshjeve pritet të jetë më e lartë në pjesën veriore dhe veriperëndimore të Kosovë, por reshje do të ketë edhe në pellgjet të tjera lumore”, deklaroi Kastrati.

Një nga zonat që ishte e prekur nga vërshimet e së enjtes ishte edhe Komuna e Deçanit.

Nga kjo komunë thonë të kenë bërë intervenime në disa pika më të rrezikuara derisa shtojnë se kanë një vlerë të përafërt të dëmeve.

Izet Zenuni, drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në komunën e Deçanit ka thënë se masat e marra, kanë zbutur situatën kësaj radhe.

“Është intervenuar te Baballoqi dhe kemi pasur dëme më pak këtë herë. Jemi në proces të vlerësimit të dëmeve dhe jemi gati në përfundim të raportit. Përafërsisht vlera e dëmeve nga këto vërshime mund të shkoj në gjysmë milioni euro”.

Komunat me të dëmtuara nga vërshimet e javës së kaluar ishin: Skenderaji, Mitrovica, Klina e Istogu.

Temperaturat priten të ulën në fund të kësaj jave, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës në disa zona mund të ketë edhe borë.

/Telegrafi/Dukagjini/

Read Previous

Vendet ku do të ketë ndërprerje të planifikuar të rrymës për shkak të punimeve për siguri të sistemit energjetik

Read Next

Osmani në takim me Mattarella: Na bashkon orientimi ynë për paqe, demokraci e sundim të ligjit