Mbreti Charles III nuk do të banojë në Pallatin Buckingham – cila është arsyeja?
Një valë ekstreme nxehtësie ka përfshirë Italinë dhe pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, duke sjellë temperatura që në disa zona pritet të arrijnë deri në 40°C gjatë fundjavës.
Autoritetet shëndetësore raportojnë rritje të ndjeshme të vizitave në urgjencë në qytetet kryesore evropiane, me një shtim prej 10–15% të rasteve të lidhura me temperaturat e larta.
Sipas të dhënave paraprake, në disa vende evropiane janë regjistruar qindra viktima të lidhura me të nxehtin ekstrem që nga fillimi i javës, ndërsa situata mbetet kritike në shumë rajone.
Në Marsejë, një foshnjë 18-muajshe ka humbur jetën pasi u gjet e bllokuar në një makinë të nxehtë. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë dhe transportimit në Spitalin Universitar të qytetit, mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë.
Autoritetet franceze po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa rastet e lidhura me goditjet nga i nxehti kanë shtuar alarmet për rrezikun ndaj fëmijëve dhe personave të cenueshëm.
Në vende si Franca, Spanja, Belgjika dhe Britania e Madhe janë regjistruar temperatura rekord, duke tejkaluar nivelet historike të stresit nga nxehtësia në rreth 45% të qyteteve evropiane.
Ekspertët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me rrezik të shtuar për shëndetin publik, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Në disa zona të Francës, autoritetet lokale kanë vendosur masa të jashtëzakonshme, përfshirë kufizime të përkohshme në aktivitete dhe paralajmërime për popullsinë.
Autoritetet evropiane u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe të marrin masa mbrojtëse ndaj temperaturave ekstreme. /Top Channel/