U cilësua si “propozim i çmendur”, deputeti belg insiston në ndërtimin e një burgu në Kosovë

Ndonëse kryeministri i Belgjikës, Aleksandër De Croo, e cilësoi si “propozim të çmendur”, deputeti i partisë opozitare belge Aleanca e Re Flamane (N-VA), Theo Francken, po këmbëngul për ndërtimin e një burgu në Kosovë për t’i dërguar emigrantët e paligjshëm.

“Është e mundur. Socialistët në Danimarkë po e bëjnë, ata kanë marrëveshje me Kosovën dhe do të zbatohet në muajt në vijim. Për mua, është e qartë që ne duhet ta kopjojmë këtë marrëveshje sepse kemi pak a shumë 3 mijë emigrantë të paligjshëm në burgjet tona, njerëz që nuk kanë leje qëndrimi në Belgjikë”, ka thënë Francken për “RTL-in” belg të enjten.

Ndërtimi i një burgu në Kosovë, sipas Francken, nuk shkel të drejtat e njeriut.

“Të gjithë ata që nuk kanë letra do të dërgohen në Kosovë, edhe nëse nuk janë kosovarë. Në Danimarkë nuk ka probleme me të drejtat e njeriut. Nëse socialistët danezë mund ta bëjnë, mund ta bëjmë edhe ne, sepse jemi të dy shtete evropiane”, ka argumentuar ajo.

Në Belgjikë më 9 qershor do të mbahen zgjedhjet federale. Siguria është një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me drogën.

Kryeministri i Belgjikës, Aleksandër De Croo, duke folur për idenë e ndërtimit të një burgu në Kosovë për të burgosurit pa leje qëndrimi, deklaroi se ky është një “propozim i çmendur” dhe “ide e vjedhur” nga Danimarka.

“Një ide e vjedhur nga Danimarka që deri tani kushtoi 210 milionë euro pa u transferuar ende asnjë i arrestuar në Kosovë”, deklaroi kryeministri De Croo në një konferencë, transmetuan të mërkurën mediat belge.

Kosova dhe Danimarka arritën një marrëveshje në vitin 2021, sipas së cilës, 300 qeli burgu do t’i jepen hua shtetit skandinav, ndërsa vendi i vogël ballkanik pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme. /Albanianpost.com

Read Previous

Rangnick refuzon zyrtarisht Bayern Munich-un

Read Next

Shqipëria drejt prodhimit të dokumenteve digjitalë të identifikimit