“Trepça” nis sistemimet e punonjësve për të forcuar prodhimin dhe operacionet

Ndërmarrja “Trepça” ka bërë të ditur se si përgjigje ndaj situatës afariste, menaxhmenti po merr një sërë vendimesh për transferimin dhe sistemin e përkohshëm të punonjësve.

Në njoftim thuhet vendimet synojnë të rrisin prodhimin dhe të mbështesin operimet në dy njësitë biznesore të minierave me flotacion Trepça – Stan Tërg dhe Kishnicë – Artanë.

Sipas njoftimit, deri tani gjashtë nëpunësve të menaxhmentit u janë caktuar detyra në njësitë biznesore të Ndërmarrjes Trepça, ndërsa janë bërë rreth 80 sistemime në ecurinë e prodhimit në njësinë Trepça – Stan Tërg.

Ndërkaq, ditë më parë lidhur me prodhimin në këtë ndërmarrje kishte shkruar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Punëtorët e Trepçës në minierë e në flotacion janë duke punuar me përkushtim e kapacitet të shtuar për të rritur prodhimin e ashtu të hyrat e ndërmarrjes. Në anën tjetër, bordi dhe menaxhmenti i lartë i ndërmarrjes janë duke punuar me zell e me vigjilencë për forcim të kontrollit të brendshëm e rritje të disiplinës”, kishte thënë ajo.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin e Trepçës:

Më shumë punëtorë të angazhuar në prodhim

Si përgjigje ndaj situatës afariste, menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça Sh.A. po merr një sërë vendimesh për transferimin dhe sistemimin e përkohshëm të punonjësve.

Vendimet synojnë të rrisin prodhimin dhe të mbështesin operimet në dy njësitë biznesore të minierave me flotacion Trepça – Stan Tërg dhe Kishnicë – Artanë.

Deri më tani, gjashtë nëpunësve të menaxhmentit u janë caktuar detyra në njësitë biznesore të Ndërmarrjes Trepça, ndërsa janë bërë rreth 80 sistemime në ecurinë e prodhimit në njësinë Trepça – Stan Tërg, punëtor këta të cilët kanë lëvizur ndër vite nga Miniera në sipërfaqe. Për më tepër, 46 minatorëve të rinj do t’u vazhdohen kontratat e punës, në saje të performancës së tyre dhe kërkesës për prodhim të shtuar.

Trepça po përgatit gjithashtu trajnimin dhe certifikimin e 19 minandezësve, duke u mbështetur në udhëzimin e ri që ka nxjerrë Ministria e Punëve të Brendshme.

Javën e kaluar, menaxhmenti i ndërmarrjes ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme afariste në dy njësi kryesore, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet për stabilizimin dhe rimëkëmbjen e Trepçës.

Ndër sfidat më të mëdha ka qenë numri i lartë i punonjësve në role mbështetëse në raport me të angazhuarit drejtpërdrejt në prodhim.

ME FAT! . /Telegrafi/

Read Previous

Netanyahu përballet me protesta në rritje dhe zemërim

Read Next

Pamje spektatore nga Mali i Nemërçkës, maja më e lartë në Jug të Shqipërisë