Tirana pret Forumin Ekonomik të Korridorit VIII

Shqipëria do të presë Forumin Ekonomik të Korridorit VIII më 18 shkurt.

Kështu ka njoftuar këtë të enjte Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

MEPJ thekson se, Evropa po hyn në një fazë vendimtare, ku ndërlidhja, qëndrueshmëria dhe integrimi rajonal po shndërrohen në shtylla themelore të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.

Në këtë kontekst, Korridori Pan-Europian VIII, që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, po konsolidohet si një nga projektet më strategjike të infrastrukturës dhe lidhshmërisë për Evropën Juglindore dhe më gjerë.

Si pjesë integrale e Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T), Korridori VIII lidh Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, duke u shtrirë drejt Italisë dhe Rumanisë.

Ky korridor forcon ndërlidhjen rajonale, rrit sigurinë kolektive dhe kontribuon në qëndrueshmërinë lindje–perëndim të kontinentit europian.

Një hap i rëndësishëm në avancimin e këtij projekti do të jetë Forumi Ekonomik i Korridorit VIII, i cili do të mbahet në Tiranë më 18 shkurt 2026.

Forumi do të mbledhë përfaqësues të autoriteteve publike, institucioneve europiane, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe komunitetit të biznesit, me synimin për të përshpejtuar investimet, për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe për të konkretizuar përfitimet ekonomike për qytetarët dhe bizneset e rajonit.

Avancimi i Korridorit VIII nënkupton jo vetëm zhvillim infrastrukture, por edhe rritje ekonomike të qëndrueshme, krijim mundësish të reja tregtare dhe forcim të integrimit europian të rajonit.

Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të plotë për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët rajonalë dhe europianë, me qëllim shndërrimin e Korridorit VIII në një motor të fuqishëm integrimi, zhvillimi të qëndrueshëm dhe prosperiteti të përbashkët. /Albanianpost.com

Read Previous

Ambasadori Guerot: Kosova po i tërheq kompanitë franceze

Read Next

Lara Colturi do të jetë flamurmbajtësja e Shqipërisë në Lojërat Dimërore