“The Odyssey” vazhdon të dominojë kinematë me një fundjavë tjetër rekord

Filmi “Odiseu” i regjisorit Christopher Nolan ka vazhduar suksesin e jashtëzakonshëm edhe në fundjavën e dytë në kinematë e Amerikës së Veriut, duke arkëtuar 87 milionë dollarë.

Të ardhurat ranë vetëm 30 për qind krahasuar me fundjavën e premierës, një rezultat shumë i rrallë për një film me hapje mbi 100 milionë dollarëshe, ka shkruar agjencia e lajmeve The Associated Press.

Kjo është fundjava e dytë më e suksesshme në karrierën e Nolanit, duke kaluar edhe filmin “The Dark Knight”, i cili në vitin 2008 kishte arkëtuar 75.2 milionë dollarë në fundjavën e dytë.

Deri më tash, “Odiseu” ka grumbulluar rreth 639.6 milionë dollarë në mbarë botën, nga të cilat 128.3 milionë dollarë vijnë nga tregjet ndërkombëtare vetëm gjatë fundjavës së fundit.

Pjesa më e madhe e suksesit vjen nga shfaqjet në ekranet premium, sidomos IMAX. Vetëm gjatë kësaj fundjave, ekranet IMAX gjeneruan 48 milionë dollarë, ndërsa versioni 70 mm IMAX solli 5.2 milionë dollarë, me shumicën e biletave të shitura deri në muajin shtator.

“Ky do të ishte një rezultat mbresëlënës edhe si fundjavë premiere për çdo film. Është dëshmi e entuziazmit të jashtëzakonshëm që publiku ka për epikun më të ri të Christopher Nolanit”, ka thënë Paul Dergarabedian, analist i tregut të filmit.

Megjithatë, fundjavën e ardhshme filmi do të përballet me konkurrencë më të fortë, pasi në kinema debuton filmi “Spider-Man: Brand New Day”, me protagonistë Tom Holland dhe Zendaya, të cilët luajnë edhe në “Odiseu”. Analistët parashikojnë se filmi i ri i “Spider-Man” mund të realizojë hapjen më të madhe të vitit.

Në vendin e dytë të arkëtimeve u rendit filmi “Moana” me 10.5 milionë dollarë, ndërsa “Toy Story 5” zuri vendin e tretë me 10 milionë dollarë. “Toy Story 5” ka kaluar tashmë shifrën e 1 miliard dollarëve në arkëtimet globale, duke u bërë filmi i gjashtë i “Pixarit” që arrin këtë sukses.

10 filmat më të ndjekur në kinematë e SHBA-së dhe Kanadasë këtë fundjavë:

  1. “The Odyssey”, 87 milionë dollarë
  2. “Moana”, 10.5 milionë dollarë
  3. “Toy Story 5”, 10 milionë dollarë
  4. “Minions & Monsters”, 9.7 milionë dollarë
  5. “Hadestown”, 9.6 milionë dollarë
  6. “The Invite”, 2.6 milionë dollarë
  7. “Evil Dead Burn”, 2.6 milionë dollarë
  8. “Young Washington”, 2 milionë dollarë
  9. “Motor City”, 1.6 milionë dollarë
  10. “Obsession”, 1.5 milionë dollarë

/Koha.net/

Read Previous

Eurostat: Shqipëria, e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit!

Read Next

Hapet aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore