AI hyn fuqishëm në Hollywood, Netflix e përdor në qindra filma
Një tërmet me magnitudë 5.6 ballë goditi rajonin e largët juglindor të Afganistanit të enjten në mbrëmje, tërmeti i tretë brenda gjashtë ditësh, ndërsa numri i të vdekurve nga i pari vazhdoi të rritet.
Tërmeti goditi në orën 20:56 sipas kohës lokale dhe bëri që njerëzit në provincat Nangarhar dhe Kunar të dilnin me vrap nga strehimoret nga frika.
Nuk kishte asnjë raport zyrtar të menjëhershëm për viktima nga tërmeti i së enjtes në mbrëmje, por mjekët në terren i thanë BBC-së se 17 persona të plagosur u sollën në Spitalin Provincial të Kunarit.
Tërmeti i së dielës ka vrarë 1 mijë e 368 persona dhe ka plagosur 2 mijë e 180 të tjerë, tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OHCA), duke cituar raporte nga 25 fshatra.
Terreni i ashpër dhe malor i rajonit vazhdon të pengojë operacionet e shpëtimit dhe ndihmës në rast fatkeqësish, tha qeveria.
Një tërmet i dytë me magnitudë 5.5 të martën ndaloi përkohësisht operacionet e shpëtimit, të cilat janë kryer kryesisht nga helikopterë, pasi mbeturinat nga rrëshqitjet e dheut ndërpresin aksesin në fshatrat e largëta.
Ka pasur gjithashtu një rrjedhë të vazhdueshme të lëkundjeve pasuese.
“Përpjekjet e shpëtimit dhe kërkimit janë ende duke vazhduar, janë ngritur tenda për njerëzit në zona të ndryshme dhe shpërndarja e ndihmës së shpejtë dhe furnizimeve emergjente është duke vazhduar”, tha Hamdullah Fitrat, zëvendëszëdhënës i qeverisë talebane, në X.
Qeveria e talebanëve – e cila njihet vetëm nga Rusia – ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare. OKB-ja ka lëshuar fonde emergjente, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka premtuar 1 milion paund ndihmë.
Afganistani është shumë i prirur ndaj tërmeteve për shkak të vendndodhjes së tij në majë të një numri vijash të çara ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike.