Tenis, turneu më i rëndësishëm në botë përjashton rusët dhe bjellorusët

Wimbledon ka vendosur të mos pranojë tenistët rusë dhe bjellorusë në edicionin e këtij viti, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Kështu, Daniil Medvedev, një nga tenistët më të mirë të botës, do të përjashtohet nga Grand Slam-i i tretë i vitit dhe nga ai që konsiderohet turneu më i lavdishëm në sportin e tenisit.

Wimbledon bëhet turneu i parë që ndalon pjesëmarrjen e tenistëve rusë dhe bjellorusë, të cilët deri tani kanë konkuruar normalisht, por pa flamurin e tyre kombëtar.

Përveç Medvedev, mungesa të mëdha në Wimbledon do të jenë edhe Andrey Rublev, ndërsa për femra do të mungojnë Anastasia Pavlyuchenkova dhe bjelloruset Victoria Azarenka e Aryna Sabalenka.

Rusia reagoi duke e konsideruar këtë masë “të papranueshme”.

“Është e papranueshme që sportistët të kthehen në pengje të intrigave dhe paragjykimeve politike. Ky është një tjetër akt armiqësor ndaj vendit tonë. Duke marrë parasysh se tenistët tanë janë në majë të klasifikimit botëror, do të jetë vetë ky turne ai që do të humbasë shumë”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit./A2news/

Read Previous

Kupa e Italisë, finalja do të jetë ”derbi” Juve-Inter

Read Next

Zelensky: 98% e ndërtesave në Mariupol janë shkatërruar