Tajani: Ballkani Perëndimor duhet të jetë sa më shpejt pjesë e BE-së

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë evropiane dhe duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, deklaroi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Duke folur në dialogun me temë “Përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor, një zgjedhje strategjike për të ardhmen e Evropës”, Tajani tha se procesi i anëtarësimit duhet të jetë rigoroz, por jo pengues.

“Në këtë drejtim, megjithatë, Evropa nuk duhet të mbajë një qëndrim armiqësor; në procedurat e anëtarësimit duhet të jemi rigorozë, por jo pengues. Nëse e vonojmë procesin me një qëndrim burokratik, rrezikojmë ta humbasim politikisht Ballkanin, sepse ka interesa të ndryshme nga Rusia, Kina dhe vendet arabe. Për Italinë kjo është një përparësi politike”, u shpreh ai.

Në tryezën e zhvilluar në kuadër të Forumit Vjetor të Observatorit për Evropën Juglindore, në Trieste, mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Enver Ibrahimoviç.

Tajani theksoi angazhimin e Italisë në rajon, duke përmendur praninë e saj në Malin e Zi, Kosovë, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Sipas tij, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të forconte Evropën dhe Perëndimin.

Ministri italian foli gjithashtu për korridorin IMEC, i cili sipas tij mund të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendeve të Ballkanit dhe Evropës Qendrore.

Tajani nënvizoi nevojën për uljen e tensioneve në rajon, duke e lidhur stabilitetin me zhvillimin ekonomik. Ai foli edhe për mbrojtjen evropiane, duke theksuar se ajo “nuk është kundër NATO-s, por është shtylla evropiane e NATO-s”.

Në lidhje me konfliktet në Ballkan, Tajani tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mund të ndikojë në zbutjen e tyre. /Albanianpost.com

Read Previous

DW: Çfarë do të thotë vendimi i Hagës për UÇK-në?

Read Next

Shqipëri, rregulla më të forta për telefonat celularë në shkolla