Sveçla: Patentë shoferët e Kosovës mund të konvertohen që të vlejnë në Gjermani

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ishte në një vizitë dyditore në Berlin, ku ndër të tjerat nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me Gjermaninë për patentë shoferët.

Sveçla, në një intervistë për “Deutsche Welle”, ka bërë të ditura procedurat se si kosovarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe kanë marrë më herët patentë shoferët e Kosovës do të mund t’i konvertojnë ata në patentë shoferë të vlefshëm të shtetit gjerman.

Me këtë marrëveshje të gjithë pjesëtarët e diasporës sonë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Gjermani, dhe kanë marrë më herët patentë shoferët e Kosovës do të mund ta konvertojnë atë në një patentë shoferi të vlefshëm të shtetit gjerman, por edhe shtetasit gjermanë, të cilët jetojnë në Kosovë, do të mund ta konvertojnë patentën e tyre gjermane në atë të Kosovës. Nga sot të gjitha konsullatat e Kosovës në Gjermani janë në gjendje të pajisin të gjithë shtetasit tanë apo bashkëkombësit tanë, të cilët jetojnë në Gjermani, me vërtetime të duhura se ata i kanë kaluar provimet në shtetin e Kosovës dhe janë të pajisur me një patentë shoferi të vlefshme të shtetit të Kosovës”.

Ministri i Punëve të Brendshme, në këtë intervistë, ka folur edhe për zyrtarët policorë serbë që punojnë në Kosovë e të cilët morën pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Serbi.

“Janë një numër i zyrtarëve policorë të cilët kanë marrë pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë me presidentin e Serbisë. Ata janë pjesë e hetimit nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe i takon këtij institucioni që të marrë vendimet adekuate në një afat sa më të shkurtër”.

Sveçla tha se ky veprim i tyre është absolutisht i papranueshëm.

“Është i papranueshëm edhe në aspektin formal edhe në aspektin politik, por edhe në aspektin e cenimit të sigurisë së vendit. Siç e thashë më herët, janë institucionet meritore të cilat janë duke bërë hetimet e nevojshme, të cilat do të bëjnë rekomandimet e duhura, në mënyrë që edhe ne të ndërmarrim vendimet tona meritore”.

Ai foli edhe për rrezikun e mundshëm që i kanoset Kosovës nga pushtimi rus i Ukrainës.

Si institucione ne po punojmë në vazhdimësi që, çfarëdo impakti negativ që kjo luftë mund të ketë në Kosovë, të parandalohet e, po qese ndodh ndonjë gjë, të tejkalohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi në krye të detyrës dhe besoj se do t’i përgjigjemi çfarëdo lloj situate”.

/KlanKosova/DeutcheWelle/

Read Previous

Shefja e BE-së premton përshpejtim të procesit të anëtarësimit të Ukrainës

Read Next

​Osmani uron Ditën e Kushtetutës: Ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin