Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Suedia ka miratuar rregulla më të rrepta për marrjen e shtetësisë, duke ndryshuar ndjeshëm kriteret për aplikantët e huaj.
Parlamenti suedez votoi ligjin e ri me 258 vota pro dhe 33 kundër.
Sipas ndryshimeve, aplikantët duhet të kenë jetuar në Suedi për të paktën tetë vite përpara se të kërkojnë shtetësinë, tre vite më shumë se sa parashikonin rregullat e mëparshme.
Për herë të parë, vendi vendos edhe një test të detyrueshëm për shtetësinë, i cili përfshin njohuri të gjuhës suedeze dhe të shoqërisë.
Po ashtu, është futur një kriter i ri ekonomik: aplikantët duhet të kenë të ardhura vjetore minimale prej rreth 241 mijë kronash suedeze (afërsisht 22 mijë dollarë).
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi më 6 qershor dhe do të zbatohen edhe për aplikimet e paraqitura më parë, duke prekur një numër të konsiderueshëm personash në proces.
Ky zhvillim vjen në një moment kur disa vende evropiane po ashpërsojnë politikat e migracionit dhe azilit.
Në Finlandë është propozuar një ligj për përshpejtimin e dëbimit të azilkërkuesve të refuzuar, ndërsa në Gjermani është raportuar një rënie e ndjeshme e kërkesave për azil gjatë vitit 2025.
Në të kundërt, Spanjë po shqyrton legalizimin e rreth 500 mijë emigrantëve të paligjshëm, duke treguar qasje të ndryshme brenda Bashkimit Evropian ndaj çështjes së migracionit. /Albanianpost.com