Kamberi: Bankat në Serbi bllokojnë donacionet nga Kosova për Këshillin Kombëtar Shqiptar

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka ngritur si shqetësim faktin se bankat komerciale në Serbi po refuzojnë të procesojnë donacionet e ardhura nga Kosova për Këshillin Kombëtar Shqiptarë.

Një gjë e tillë, sipas tij, po ndodhë pa asnjë transparencë, pa vendim publik dhe pa arsyetim ligjor duke përbërë një precedent shqetësues dhe të papranueshëm.

“Ky nuk është më një veprim teknik apo bankar, por një akt me përmbajtje të qartë politike dhe diskriminuese”, ka shkruar ai.

Kur një institucion financiar ndërkombëtar, në vlerësimin e tij, po bëhet pjesë e mekanizmave që pengojnë funksionimin e institucioneve legjitime të pakicës shqiptare në Serbi.

“Nën ndikimin e strukturave politike në Beograd, dhe konkretisht nën diktatin e ministrave që nuk përfaqësojnë interesin qytetar, por agjenda të ngushta partiake, po krijohet një klimë ku të drejtat elementare të shqiptarëve cenohen në mënyrë të vazhdueshme”, ka shtuar ai.

Për këto bllokime financiare, sipas Kamberit, janë të informuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë, por që sipas tij as ata nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim.

“Heshtja përballë kësaj padrejtësie nuk është neutralitet; ajo shndërrohet në bashkëfajësi dhe i jep hapësirë vazhdimit të diskriminimit. Të drejtat e pakicave janë themeli i arkitekturës së Bashkimit Evropian, ndërsa Evropa hesht kur shkelen parimet e saj themelore. Pse heshtin BE, OSBE, KE dhe ambasadat perëndimore? Dhe, mbi të gjitha, pse hesht ambasada turke duke lejuar që një institucion financiar i lidhur me të bëhet pjesë e një mekanizmi diskriminues ndaj pakicës shqiptare?”.

Ai ka kërkuar urgjentisht transparencë nga institucioni bankar në këtë rast nga HalkBank për këtë çështje. /Albanianpost.com

Read Previous

​Osmani mohon akuzat, thotë se takimet s’janë ndalur asnjëherë

Read Next

Suedia shtrëngon rregullat për shtetësinë – kur do të hyjnë në fuqi?