Studimi: Ri-infektimi me COVID rrit rrezikun e vdekjes dhe problemeve shëndetësore

Ri-infektimet me COVID mund të rrisin rrezikun e problemeve shëndetësore dhe vdekjes.

Kështu rezulton në një studim amerikan të kryer nga Departamenti i Mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Washington-it.

Më parë, një grup i madh kërkimesh kanë treguar se infektimi i parë me COVID ishte i lidhur me një rrezik në rritje të vdekjes dhe pasoja të dëmtimit të mushkërive dhe organeve të tjera.

Por, tani, shumë njerëz në mbarë botën po përballen me ri-infektime nga COVID-i.

Ndaj, qëllimi i ekipit të shkencëtarëve ishte të shqyrtonte rreziqet shëndetësore që rrjedhin nga infeksionet e përsëritura, si brenda 30 ditëve të para dhe deri në gjashtë muaj pas.

Dhe rezultatet e gjetura përfshinin vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet, shtrimin në spital, të paktën një pasojë dhe çrregullime.

Të tilla si problemet kardiovaskulare, çrregullime të koagulimit dhe hematologjike, diabet, lodhje, probleme gastrointestinale, renale, probleme të shëndetit mendor, muskulore, neurologjike dhe pulmonare.

Për të arritur në këto përfundime, shkencëtarët përdorën bazën e të dhënave shëndetësore të Departamentit Amerikan të Çështjeve të Veteranëve.

Ndryshe, 5.8 milionë të dhëna mjekësore anonime.

Sipas studimit, të ri-infektuarit me COVID kishin dy herë më shumë gjasa të vdisnin  dhe tre herë më shumë të ngjarë të shtroheshin në spital.

Krahasuar me pacientët e infektuar me virusin vetëm një herë, individët me infektime të përsëritura kishin 3.5 herë më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje të sistemit të frymëmarrjes.

Po ashtu tre herë më shumë të ngjarë të kishin sëmundje të zemrës dhe 1.6 herë më shumë të ngjarë të përjetonin patologji të trurit.

“Parandalimi i infektimit SARS-CoV-2 dhe ri-infektimit duhet të vazhdojë të jetë qëllimi i politikës së shëndetit publik”, ka thënë koordinatori i studimit, Ziyad Al-Aly.

Kjo është arsyeja pse mbetet e rëndësishme të vijohet me mbrojtjen me maska ​​dhe masa të tjera të këshillueshme.

Gjithashtu edhe vazhdimi i vaksinimit përforcues , sepse vaksinat kufizojnë transmetimin dhe kufizojnë gjasat e ri-infektimeve.

/Corriere della Sera/Albanianpost.com

Read Previous

Musk ofron amnisti të përgjithshme për llogaritë e pezulluara në Twitter

Read Next

Vedat Muriqi drejt transferimit në Premier Ligën angleze