Analizë e “Financial Times”: Si po e dobëson Trump diplomacinë amerikane
Kryeministri britanik Keir Starmer ka kërkuar që trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit të jetë pa kufizime, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të vendosë një tarifë prej 20% për anijet tregtare, që përdorin këtë rrugë të rëndësishme detare për kalim të sigurt.
Kryeministri britanik në largim, bëri gjithashtu thirrje për ndalimin e luftimeve dhe rikthimin në tryezën e negociatave, ndërsa SHBA-ja nisi për të tretën natë radhazi sulme ndaj Iranit për shkak të përplasjeve mbi këtë korridor strategjik detar.
Deklarata e Starmer erdhi pasi Trump njoftoi se vendosja e tarifave për mallrat që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit ishte “çështje drejtësie”, si dhe për të mbuluar kostot e sigurisë së ofruar nga SHBA-ja.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në Britani te Madhe. Liberal Demokratët e cilësuan atë “grabitje të mbështetur nga shteti”, “një akt shantazhi ekonomik” dhe “shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar”.
Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë kundërshtuar vazhdimisht, mundësinë që Irani të vendosë tarifa për kalimin në këtë rrugë ujore.
Ngushtica jetike detare ishte e hapur përpara konfliktit të nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt.
Trump njoftoi gjithashtu se bllokada ndaj porteve iraniane do të rikthehet, pasi ishte hequr muajin e kaluar, si pjesë e një marrëveshjeje të përkohshme armëpushimi, të cilën presidenti amerikan e kishte shpallur të përfunduar pas rifillimit të armiqësive.
Ushtria amerikane tha se bllokada do të hyjë sërish në fuqi më 14 korrik, në orën 16:00 sipas kohës së Uashingtonit (20:00 GMT). /ATSH-DPA/