Qeveria e Republikës së Sllovenisë ka ndaluar eksportin, importin dhe tranzitin e armëve në Izrael, njoftoi kryeministri Robert Golob, duke shtuar se Sllovenia është vendi i parë evropian që vendos për një veprim të tillë.
“Duke pasur parasysh konfliktet e armatosura dhe shkeljet serioze dhe flagrante të së drejtës ndërkombëtare, së drejtës humanitare dhe të drejtave të njeriut nga Izraeli në Bregun Perëndimor dhe Gaza, Qeveria e Republikës së Sllovenisë, në përputhje me nenin 5 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Sllovenisë, urdhëron Ministrinë e Mbrojtjes që të zbatojë në mënyrë strikte nenin 77 të Ligjit të Mbrojtjes dhe Rregulloren mbi miratimet për prodhimin dhe tregtinë e armëve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe lejet paraprake për importin, eksportin, tranzitin dhe transferimin e produkteve të mbrojtjes”, njoftoi Qeveria e Sllovenisë.
“Ky vendim nënkupton ndalimin e eksportit dhe tranzitit të armëve dhe pajisjeve ushtarake nga ose përmes Republikës së Sllovenisë në Izrael, si dhe importin nga Izraeli në Slloveni, përveç pajisjeve që janë të nevojshme për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në territorin e Republikës së Sllovenisë”, shtoi ajo.
Sllovenia shpalli dy ministra izraelitë – Ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe Ministrin e Financave dhe Mbrojtjes Bezalel Smotrich – si të padëshirueshëm në Slloveni dy javë më parë.
Siç arsyetuan ata, dy ministrat ‘nxisin dhunë ekstreme dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut të palestinezëve me deklaratat e tyre gjenocidale’.
Sllovenia e njohu shtetin palestinez në qershor të vitit të kaluar dhe që atëherë ka bërë vazhdimisht thirrje për armëpushim në Gaza./reporteri/