Siguria në vend, KFOR-i dhe Policia e Kosovës në patrullime të përbashkëta

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka njoftuar për patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës në territorin e vendit.

Përmes një njoftimi për media, thuhet se patrullimet e përbashkëta po kryhen në mënyrë që të monitorojnë territorin dhe të sigurojnë një kornizë adekuate të sigurisë.

“Ushtarët e caktuar në Komandën Rajonale të KFOR-it në Perëndim (RC-W), kryen Patrulla të Përbashkëta me Policinë e Kosovës brenda zonës së tyre të përgjegjësisë, në mënyrë që të monitorojnë territorin dhe të sigurojnë një kornizë adekuate të sigurisë”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se KFOR-i është gjithmonë i përkushtuar për të mbështetur paqen, bashkëpunimin dhe përparimin për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, sipas mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurtë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Kujtojmë se më 24 shtator të këtij viti në Banjskë të Zveçanit u krye sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku për pasojë humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku si dhe u plagos pjesëtari i policisë, Alban Rashiti.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit në Banjskë janë vrarë edhe tre sulmues.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, dhe ka prezantuar prova, që sipas saj e vërtetojnë këtë pretendim, mirëpo Serbia i ka hedhur poshtë ato. /Telegrafi/

Read Previous

“Përherë në kujtimet e popullit të Kosovës” – liderët institucional dhe politik reagojnë pas vdekjes së Martti Ahtisaarit

Read Next

Shqipëri – Bullgari, UEFA delegon gjyqtarët kosovarë për ta drejtuar miqësoren në Tiranë