“Përherë në kujtimet e popullit të Kosovës” – liderët institucional dhe politik reagojnë pas vdekjes së Martti Ahtisaarit

Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare.

Krerët e shtetit të Kosovës dhe liderët partiakë, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Ahtisaarit, figurën e të cilit e kanë çmuar lartë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar se sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.

“Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë! Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës. Paçebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!”, ka shkruar Osmani.

Edhe, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaarit.

Haradinaj ka thënë se Ahtisaari ishte njëri ndër figurat kryesore në rrugën e Kosovës drejt shtetësisë.

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të Martti Ahtisaari, një mik i madh i Kosovës, njëri ndër figurat kyçe në rrugën e Kosovës drejt shtetësisë. Populli i Kosovës i është mirënjohës gjithmonë për kontributin e tij në shtetndërtim dhe mbështetjen në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, është shprehur Haradinaj. /Telegrafi/

Read Previous

​Abazoviq: E ardhmja e rajonit tonë është në BE

Read Next

Siguria në vend, KFOR-i dhe Policia e Kosovës në patrullime të përbashkëta