Gjatë kësaj jave, për vetëm dy ditë në Kosovë ndodhën pesë vrasje, të cilat treguan edhe një herë se vendi vazhdon të ketë boshllëqe të mëdha në fushën e sigurisë dhe drejtësisë penale. Fenomeni i vrasjeve dhe dhunës së armatosur mbetet një sfidë e madhe dhe sistematike, që godet thellë arkitekturën e sigurisë publike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Më shqetësues mbetet fakti se të dyshuarit për vrasjet, njëra e trefishtë në Gjilan dhe tjetra në Hajvali, vazhdojnë të jenë në arrati.
Njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se këto raste janë alarmuese, sidomos për shkak të mënyrës së kryerjes së tyre.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj tha se më parë nuk ka ndodhur që të ketë të shtëna ndaj personave në vende publike, të vriten të gjithë anëtarët e një familjeje dhe të kryhen vrasje sikurse në filma.
“Mendoj se situata e përgjithshme që mbretëron në Kosovë, sidomos këto katër-pesë vitet e fundit, ka bërë që i gjithë populli të jetë në një gjendje të rënduar, jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe psikik. Kjo ndodh për shkak të degradimit të institucioneve në vend nga pushteti aktual. Atmosfera e përgjithshme po ndikon tek individë të caktuar, të cilët shumë lehtë vendosin të kryejnë vepra të dhunshme kudo në Kosovë”, deklaron Qalaj.
Ai shton se një problem tjetër është mungesa aktuale e funksionimit të institucioneve.
“Mungesa e institucioneve, sidomos e Kuvendit dhe Qeverisë, ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Policia e Kosovës duhet të jetë shumë më e pranishme në çdo qytet dhe çdo fshat të vendit”.
Qalaj ka edhe një apel për institucionet e vendit.
“Duhet të ndalet gjuha e sulmit ndaj drejtësisë, prokurorisë, gjyqësisë dhe mediave, pasi kjo po kontribuon në diskreditimin e këtyre institucioneve dhe po inkurajon individë me prirje për të kryer vepra penale”.
Nga ana tjetër, Dita Makasqi nga Instituti për Psikologji dhe Kriminologji “Katalea” thotë për Albanian Post se ky fenomen nuk duhet parë si një varg rastesh të izoluara, por si simptomë e një problemi më të thellë shoqëror, që ka rrënjë në faktorë të shumtë socialë, ekonomikë, kulturorë dhe institucionalë.
“Si eksperte e kriminologjisë, vlerësoj se kjo situatë është rezultat i një ndërthurjeje faktorësh që kanë vepruar paralelisht dhe për një kohë të gjatë. Një nga shkaqet kryesore lidhet me krizën e aftësisë për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe rritjen e dhunës ndërpersonale”, thotë Makasqi.
Sipas saj, shumë nga këto raste burojnë nga mosmarrëveshje të natyrës personale apo familjare, të cilat shpesh përkeqësohen nga mungesa e aftësive për menaxhimin e emocioneve dhe nga reagimet impulsive.
“Në këtë kontekst, ndjenja e ‘hakmarrjes’ si mjet drejtësie vetjake vazhdon të jetë e pranishme në një pjesë të shoqërisë, duke e bërë më të lehtë kalimin nga fjalët tek veprimet fatale. Një faktor tjetër shqetësues është qasja e lehtë në armë zjarri. E trashëguar pjesërisht nga periudha e pasluftës, prania e armëve të paregjistruara dhe përdorimi i tyre i pamatur rrit ndjeshëm mundësinë që konfliktet të përfundojnë me humbje jete”.
Maksaqi pohon se mungesa e kontrollit të plotë dhe fushatave të qëndrueshme për çarmatosje e mban këtë problem të hapur, ndërsa perceptimi i armës si simbol force apo mbrojtjeje ushqen më tej kulturën e dhunës.
Ngjashëm si Qalaj, edhe ajo përmend dobësitë institucionale si pjesë të pandashme të këtij realiteti.
“Vonesat në proceset gjyqësore, dënimet që nuk janë gjithmonë proporcionale me krimin, mungesa e reagimit të shpejtë nga organet e rendit dhe ndjenja e mosndëshkueshmërisë krijojnë një klimë ku individët nuk e ndiejnë peshën e ligjit. Kur shoqëria sheh që autorët e krimeve të rënda shpesh shmangin pasojat ose përballen me to shumë vonë, krijohet një mesazh i rrezikshëm: krimi mund të kryhet pa pasoja të menjëhershme”.
Ajo thekson se faktorët socio-ekonomikë, presioni psikologjik, ndikimi kulturor dhe normalizimi i dhunës luajnë rol të rëndësishëm në këtë fenomen.
“Për ta frenuar dhe parandaluar përshkallëzimin e dhunës së rëndë në Kosovë, nevojitet një qasje e integruar dhe e qëndrueshme. Së pari, duhet të fuqizohen masat parandaluese që nisin nga edukimi i hershëm, përmes programeve në shkolla dhe komunitete mbi menaxhimin paqësor të konflikteve, kontrollin e emocioneve dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme”.
“Po aq thelbësore është zbatimi rigoroz i kontrollit të armëve të zjarrit, përmes fushatave të vazhdueshme të çarmatosjes vullnetare, regjistrimit të detyrueshëm të armëve dhe ndëshkimeve të menjëhershme për posedim të paligjshëm”, sqaron ajo.
Për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Mefail Shkodrën, Edonis Shkodrën dhe Engjull Shkodrën, ndërsa për atë në Hajvali ka shpallur në kërkim Xhemajl Nuhiun.
Krerët institucionalë kanë kërkuar veprime të menjëhershme pas rasteve të fundit të vrasjeve, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pezulluar katër zyrtarë policorë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan. /Albanianpost.com
