Shqipëria blen raketahedhësit amerikanë që u bënë të famshëm në luftën e Ukrainës

Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të dy sistemeve raketore M142 HIMARS për Shqipërinë, në vlerë të përafërt prej 210 milionë dollarësh.

Lajmi është bërë i ditur edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, i cili përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit amerikan, miratimi është dhënë më 17 nëntor, ndërsa paketa e kërkuar nga Shqipëria përfshin dy lëshues raketorë HIMARS, 72 raketa të drejtuara të kalibrit 227 milimetra, tetë sisteme për drejtimin e zjarrit të artilerisë, si dhe automjete mbështetëse, pajisje mirëmbajtjeje dhe trajnim.

Kontraktori kryesor për këtë marrëveshje është kompania amerikane Lockheed Martin.

Blerja pritet të financohet përmes kredive në kuadër të programit amerikan të Financimit Ushtarak të Huaj (FMF), që nënkupton se Shqipëria do të marrë financim përmes këtij programi për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane.

Sistemi HIMARS është një raketahedhës i lëvizshëm, i montuar mbi kamion, i cili mundëson goditjen e objektivave me precizion të lartë dhe largimin e shpejtë nga pozicioni pas lëshimit të raketave.

Ky sistem u bë i njohur gjatë luftës në Ukrainë, në vitin 2022, ku forcat ukrainase e përdorën për të goditur depot e municionit dhe qendrat komanduese ruse.

Për Shqipërinë, pajisja me këto sisteme do të përfaqësonte një kapacitet të ri në artilerinë raketore të Forcave Tokësore.

Ndërkohë, zhvillimi vjen në një kohë kur bashkëpunimi ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë ka qenë në vëmendje, pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët për bashkëpunim në mbrojtje.

Kjo marrëveshje ishte kundërshtuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili kishte deklaruar se ajo hap garën e armatimit në rajon.

Departamenti amerikan i Shtetit, në vlerësimin e tij, ka theksuar se shitja e mundshme e sistemeve HIMARS nuk pritet të ndryshojë ekuilibrin themelor ushtarak në rajon.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të nënshkruhet kontrata përfundimtare, kur do të dorëzohen sistemet në Shqipëri dhe cilat do të jenë kushtet e kthimit të kredisë. Miratimi amerikan përbën një hap fillestar drejt realizimit të kësaj blerjeje.

/GazetaSinjali/

Read Previous

24 orët e fundit në rajonin e Gjakovës: Sekuestrohen dy pushkë në Rahovec, dy raste të dhunës në familje

Read Next

Burnham në Bruksel për marrëveshje të reja me BE-në