13 vite pritje dhe një rekord historik, “GTA 6” lë pa fjalë kritikët me vlerësimet e para
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kaçanik, nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Përveç zyrtarit të arrestuar, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin edhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë të përfshirë në rast.
Sipas njoftimit të IPK-së, rasti ka ndodhur më 17 nëntor, pas orës 15:00, në fshatin Kaçanik i Vjetër, ku një patrullë policore, e përbërë nga katër zyrtarë, ka arrestuar një qytetar në oborrin e shkollës së fshatit.
Nga hetimet fillestare dyshohet se njëri prej zyrtarëve policorë ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke përdorur forcën edhe pasi qytetari ishte prangosur, si pasojë e së cilës ai ka pësuar lëndime trupore.
IPK-ja ka bërë të ditur se pas arrestimit, qytetari është dërguar në stacionin policor, por zyrtarët e përfshirë, sipas gjetjeve fillestare, nuk e kanë njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra.
“Zyrtarët policorë nuk e kanë njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Më pas, qytetari është liruar, ndërsa ndaj tij është shqiptuar një tiketë për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.
Ndërkaq, ndaj zyrtarit policor të arrestuar, IPK-ja ka bërë të ditur se kishte pranuar edhe ankesa të tjera nga qytetarët, të cilat mund të jenë informacione relevante në kuadër të hetimit dhe vlerësimit të veprimeve të tij zyrtare.
Pas arrestimit, me vendim të prokurorit kompetent, zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Në kuadër të procedurave administrative dhe me qëllim të zhvillimit të papenguar të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit të arrestuar, si dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë që kanë qenë pjesë e patrullës.
IPK-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar në hetimin e rasteve të dyshuara të keqpërdorimit të detyrës dhe tejkalimit të autorizimeve policore, me synim garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit në Policinë e Kosovës. /RTKlive