Ambasadori Gashi: Potenciali ekonomik i Kosovës tejkaloi pritjet e bizneseve polake
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara, duke bërë të ditur se drafti i parë pritet të jetë gati javën e ardhshme.
Pas shtyrjes së seancës së Kuvendit, ku ishte paraparë të shqyrtohej ligji për Specialen, Kurti tha se grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të sjellë propozimin për ligjin e ri.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti bëri të ditur se në grupin punues janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare, ndërsa në hartimin e dokumenteve janë angazhuar edhe ekspertë juridikë.
Ai theksoi se përmbajtja e ligjit të ri duhet të punohet me kujdes, të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës dhe më pas të procedohet për diskutim e miratim.
“Ne jemi të bindur se korrigjimi i aktgjykimit të 16 shtatorit duhet të ndodhë dhe do të ndodhë në shkallën e dytë, në apel. Kjo do të jetë diku në vitin 2027. Nga pakënaqësia lidhur me atë aktgjykim erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin ne patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton qëllimi i mirë. Duhet të kemi edhe sukses dhe të dalim fitimtarë. Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet prapa dhe nuk anulohet, por ka efekt në praktikë pastaj. Ne presim që javën e ardhshme grupi punues për strategjinë shtetërore përkatëse të sjellë draftin e parë dhe ju e dini se në këtë grup punues janë të përfaqësuara të gjitha institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare… Aty janë të gjithë bashkë dhe janë angazhuar edhe ekspertë juridikë për t’i ndihmuar ata. Këta po e ndihmojnë grupin punues dhe ne presim strategjinë javën e ardhshme. Nga disa prej tyre dhe të tjerë që mund të kontribuojnë ndërkohë, presim që javën e ardhshme të na sjellin draftin e ri të një ligji të ri përkatës për Dhomat e Specializuara. Përmbajtja të punohet me kujdes dhe ajo përmbajtje të vijë për diskutim dhe miratim. Ajo përmbajtje të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë tonë”,
Krahas kësaj, Kurti shtoi se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar që nga pranvera e vitit 2015.
Në fjalën e tij në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, Kurti e cilësoi Gjykatën Speciale si një institucion të pazakonshëm, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e funksionimit të saj dhe transparencën. Ai i cilësoi Dhomat e Specializuara si gjykatë monoetnike.
Kurti: Qëndrimi im ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar
“Unë, si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LVV-së, nuk kam ndryshuar fare qëndrim për Gjykatën Speciale nga pranvera e vitit 2015. Mendimi dhe qëndrimi im është i njëjtë. Konsideroj se këto Dhoma të Specializuara janë një gjykatë e pazakonshme, saqë edhe termi sui generis është i ngushtë. Herë sillen si gjykatë vendore dhe herë si tribunal ndërkombëtar, por gjithsesi janë një gjykatë monoetnike me mungesë transparence. Iniciuesit e ligjit për Dhomat e Specializuara, unë besoj se e kanë pasur qëllimin e mirë dhe ky qëllim ka ardhur nga indinjata dhe zhgënjimi i madh me aktgjykimin e 16 shtatorit, i cili kishte shumë pasaktësi faktike dhe historike. Rezultoi me një dënim shumë të lartë prej 81 vjetësh burg për katër ish-krerët e UÇK-së”, theksoi Kurti. /KosovaPress/