Shqipëri – Remitancat arrijnë 532 milionë euro në gjysmën e parë të vitit, por rritja ngadalësohet

Paratë që emigrantët dërgojnë drejt familjeve të tyre në Shqipëri vijojnë të rriten, por me ritme më të ngadalta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 remitancat arritën në 532 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ky është niveli më i ulët i rritjes që prej vitit 2020, kur flukset e emigrantëve u prekën nga pandemia e Covid-19. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, remitancat ishin zgjeruar me 14.5%.

Që nga viti 2013, remitancat kanë njohur një tendencë të qëndrueshme rritjeje, e lidhur me ciklin e ri të emigracionit që nisi sidomos pas vitit 2015. Pas një tkurrjeje gjatë vitit pandemik, dërgesat u rimëkëmbën me shpejtësi, duke kapërcyer për herë të parë pragun e 500 milionë eurove në gjysmën e parë të 2024-s.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se vetëm në periudhën 2022-2023 janë dhënë 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë në vendet e BE-së. Që prej vitit 2008, rreth 920 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi, duke krijuar një bazë të gjerë për prurjet e remitancave.

Kanalet tradicionale të emigracionit, si Greqia dhe Italia, vijojnë të mbajnë peshën kryesore të transfertave, por vitet e fundit janë shtuar dërgesat edhe nga destinacione të reja si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Remitancat llogariten nga Banka e Shqipërisë si pjesë e llogarisë korente në bilancin e pagesave, duke përfshirë transfertat përmes bankave, institucioneve financiare dhe operatorëve të transfertave, si dhe vlerësimet për prurjet informale.

Për këtë qëllim, Banka kombinon të dhënat e sistemit bankar, raportimet e subjekteve të licencuara dhe anketat me familjet përfituese.

Read Previous

Si ta lehtësoni të përzierat nga udhëtimi, truke të thjeshta që duhet t’i provoni

Read Next

Google urdhërohet t’u paguajë 425 milionë dollarë përdoruesve amerikanë