Shqipëri | Policia e Shtetit në gatishmëri të plotë për festat e fundvitit

Policia e Shtetit ka shpallur gatishmëri të përforcuar dhe angazhim maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.

Për këtë qëllim, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të qarta për strukturat vendore dhe qendrore.

Sipas njoftimit zyrtar, masat përfshijnë shtimin e pranisë së shërbimeve policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale në të gjithë territorin, me synim parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale.

Do të rritet gjithashtu kapaciteti i shërbimit në pikat e kalimit kufitar, përmes shtimit të sporteleve dhe burimeve njerëzore, si dhe intensifikimit të bashkëpunimit me homologët për shmangien e radhëve dhe lehtësimin e lëvizjes.

Në kufirin e gjelbër parashikohen patrullime të shtuara dhe kontrolle të përforcuara për goditjen e krimeve kufitare. Paralelisht, do të intensifikohet monitorimi i qarkullimit rrugor me mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë dhe alkooltestues, si dhe me shtimin e patrullave të Policia Rrugore në akset urbane dhe interurbane, me objektiv uljen e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Policia ka përgënjeshtruar publikisht deklaratat e bëra nga Sindikatës së Punonjësve të Policisë, sipas të cilave punonjësit do të detyroheshin të plotësonin një numër të caktuar masash administrative. Autoritetet sqarojnë se nuk ekziston asnjë urdhër i tillë dhe se masat administrative përdoren vetëm për garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Në kuadër të festimeve, Policia do të bashkëpunojë me pushtetin vendor, drejtuesit e institucioneve fetare dhe Policitë Bashkiake për mbarëvajtjen e ceremonive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Do të ketë prani të shtuar në shëtitore, pedonale, objekte kulti, sheshe publike, si dhe kontrolle të përforcuara në restorante, lokale dhe qendra tregtare me frekuentim të lartë.

Gjithashtu, do të intensifikohen kontrollet ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike, në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe do të rritet siguria në banka, zyra këmbimi, tregje dhe objekte të tjera ku administrohen vlera monetare, përfshirë bashkëpunimin me shërbimet private të sigurisë fizike.

Ndërkohë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe RENEA do të jenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo situatë të nevojshme.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke denoncuar çdo paligjshmëri apo indicie për konflikte në numrin pa pagesë 112, gjatë ditëve dhe netëve festive. /Albanianpost.com

Read Previous

​KQZ bllokon palestrat, FBK riorganizon kalendarin e garave

Read Next

Florent Muslija përfshihet në formacionin e javës në Bundesliga 2