Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Indeksi i Çmimeve të Konsumit në Shqipëri për muajin dhjetor 2025 ka shënuar një rritje vjetore prej 2,3%, nga 2,1% që ishte në të njëjtin muaj të një viti më parë, bëri të ditur Instituti i Statistikave (INSTAT).
Sipas të dhënave zyrtare, ndryshimi mujor i IÇK-së në dhjetor krahasuar me muajin paraardhës ishte 0,7%, ndërsa rritja mesatare vjetore e çmimeve të konsumit për gjithë vitin 2025 u regjistrua në nivelin 2,2%, njësoj si në vitin paraardhës.
Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, i cili ka dhënë një kontribut prej +0,96 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,56 pikë përqindje.
Ndikim në rritjen e përgjithshme kanë pasur gjithashtu grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Hotele, kafene dhe restorante”, si edhe “Pije alkoolike dhe duhan”.
Krahasuar me dhjetorin 2024, rritja më e lartë e çmimeve është regjistruar te grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,8%, ndërsa “Argëtim dhe kulturë” u rrit me 3,6% dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%.
Brenda grupit të ushqimeve, INSTAT raporton se çmimet e nëngrupit “Qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4,4%, pasuar nga “Peshk” dhe “Vajra dhe yndyrna” me 3,8% secili, ndërsa rritje më të moderuar patën mishi dhe frutat.
Në terma mujorë, rritjen më të madhe në Dhjetor e shënoi grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%, i ndjekur nga “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9% dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,8% . /Albanianpost.com