Shqipëri | Më shumë se gjysma e shkëmbimeve tregtare, me vendet e BE-së

Bashkimi Europian vijon të jetë partneri kryesor i vendit në tregtinë e mallrave, duke zënë 53,6% të totalit të shkëmbimeve tregtare në korrik 2026, ndërsa pjesa më e madhe e eksporteve shqiptare u orientua drejt tregjeve europiane, sipas të dhënave të INSTAT.

Në korrik, 68,4% e eksporteve shqiptare u drejtuan drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa importet nga këto vende përbënin 47,8% të importeve gjithsej, duke dëshmuar peshën e tregut europian në ekonominë dhe shkëmbimet tregtare të vendit.

Ndër vendet partnere, Greqia shënoi rritjen më të madhe të eksporteve shqiptare në raport me korrikun e vitit 2025, me 19%, ndërsa eksportet drejt Gjermanisë u rritën me 2,5%.

Në të njëjtën periudhë, eksportet drejt Italisë ranë me 2%, ndërsa ato drejt Kosovës me 2,4%.

Në importet e mallrave, rritjen më të fortë e shënuan ato nga Kina, me 22,7%, ndërsa importet nga Italia u rritën me 0,3%. Në kahun tjetër, importet nga Gjermania ranë me 9,2%, ndërsa ato nga Greqia me 2,9%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se orientimi i tregtisë së jashtme mbetet i lidhur ngushtë me tregun europian. Pesha e lartë e eksporteve drejt vendeve të BE-së është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e procesit të integrimit europian dhe përpjekjeve të bizneseve shqiptare për të rritur praninë në tregjet e përbashkëta europiane. /ATSH/

Read Previous

PDK dhe Aleanca në sallën e Kuvendit, kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive

Read Next

Nga emigrimi te rikthimi, si turizmi po rilind qytetet shqiptare