“Shkova në Tiranë 6 ditë e netë, derë më derë shazoten e nuk ma dhanë lejen me shkue me vorros tem vlla”

Nga Ilir Seci

Me 12 Mars 1992, në Lenggries të Bavarisë, Gjermani, në moshën 66 vjeçare, ndrroi jetë poeti Martin Camaj. E shoqja e tij Erika njofton familjen e Martinit në Shllak. I vllai i Martin Camajt, Gjergji, shkon në Tirane dhe mundohet me marre nji vizë per me shku në vorrim të vllaut.
Nuk i hapet asnji rrugë…
Miku jem Aleksander Pali, që jeton në New York më diftonte për këtë rast. Leka, (si e thrrasim Aleksander Palin), e ka njoftë mirë vllaun e Martin Camajt, Gjergjin. Mbas arratisjes spektakolare të familjarëve të tij, Aleksandër Palin e internojne në Shllak dhe aty njihet mire me Gjergj Camajn.

Në Mars 1992 mbas dekës së poetit Martin Camajt, i vllai i poetit, Gjergji ia nisë nji letër Aleksandër Palit, i cili mbas vitit 1991 kishte shkue në Amerikë, dhe ndër tjera në letër i shkruente :
-“Leka, vdiq Martini . E shoqja nisi haberin se po e len nji javë mbi dhê deri sa të shkojnë dikush prej nesh. Shkova në Tiranë 6 ditë e netë, derë më derë shazoten e nuk ma dhanë lejen me shkue me vorros tem vlla…
I vllai i poetit, Gjergji kjan hall me mikun dhe e përfundon letrën tue thanë:
-“Paskena kenë ma mire tue na hangër dreqi se sa zojgjtë e tij, se kenkan shumë…”

Kush i ka jetue ato kohnat rreth vitit 1992 mundet me e marre me mend sa i zorshëm dhe sa i dhimbshëm ka kenë zhgënjimi i nji malsori të vuejtun e të hjekun nga lufta e klasave që i ishte ba për 47 vjet me rradhë, kur i asht thanë se s’mund shkonte as me shti në dhê të vllanë…E ka ana tjeter thuhej se Shqipnia ishte ba demokraci tashma… Vllau i poetit e pa sa demokratike ishte ba.
Tue ditë sa e çnjerëzueme ishte shoqnia mbas-diktatoriale, nuk mundem mos me hamendësue se me nandëdhetë e nandë për qind me atë njoftim që ia ka nisë Erika Camaj kunatit, kushedi kush e ka marrë vizën gjermane. Shans i artë për ato rrjetet mafioze të shitjes së vizave./ KultPlus.com

Read Previous

Rritet dhuna në familje por edhe sensibilizimi – 404 raste u raportuan në janar e shkurt

Read Next

Kadare: Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e Martin Camajt, e prisja me padurim këtë takim