Rritet dhuna në familje por edhe sensibilizimi – 404 raste u raportuan në janar e shkurt

2764 raste të dhunës në familje janë paraqitur në Policinë e Kosovës vitin e kaluar, ndërsa vetëm në dy muajt e parë të vitit 2023 janë evidentuar 404 raste të reja.

Shumica e viktimave, mbi 70 për qind, janë vajza dhe gra.

Këto statistika po vlerësohen shqetësuese nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe nga Komisioni për Barazi Gjinore. Por, konsiderohet se rritja e rasteve ka ardhur edhe si rezultat i paraqitjes më të madhe, falë sensibilizimit nga organizatat e shoqërisë civile.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka bërë të ditura për Ekonomia Online statistikat për 14 muajt e fundit.

“Gjatë vitit 2022, policia ka iniciuar 2764 raste të dhunës në familje; në këto raste 2289 viktima kanë qenë femra dhe 519 meshkuj”.

“Gjatë janarit 2023 janë evidentuar 216 raste të dhunës në familje, në këto raste 177 viktima kanë qenë femra dhe 54 meshkuj. Kurse gjatë muajit shkurt 2023, janë evidentuar 188 raste të dhunës në familje, nga të cilat 143 viktima kanë qenë femra dhe 45 meshkuj”.

“Numri i rasteve nuk është i barabartë me numrin e viktimave (ankuesve) pasi në një rast mund të ketë më shume se një viktimë, pra numri i viktimave është më i madh se numri i rasteve”, thuhet në përgjigjen e Policisë dërguar EO-së.

E ky numër i rasteve po konsiderohet shqetësues nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK). Madje, sipas tyre, numri i viktimave është edhe më i madh sesa statistikat e policisë.

Shteti nuk po siguron banim, apo punësim për viktimat e dhunës, që do t’i bënte të pavarura

Besarta Breznica, anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, tha se vitet të fundit vërehet një numër më i madh i raportimeve të dhunës nga gratë.

“Viteve të fundit vërehet një raportim më i madh i dhunës në baza gjinore në institucionet kompetente. Kjo është falë punës se organizatave të shoqërisë civile. Rrjeti i Grave të Kosovës është i informuar që statistikat që Policia e Kosovës i ka nuk janë krejt të sakta, pasi që puna jonë në terren e tregon që ka shumë më shumë viktima të dhunës në familje”.

“Ka shumë arsye që gratë nuk e raportojnë dhunën menjëherë, por jetojnë me vite të tëra në ambiente dhunuese. Pavarësisht që kemi një numër goxha të rritur të dhunës të raportuar, prapë se prapë ky nuk është një numër real sepse ka shumë më shumë dhunë ne familje, kemi shumë më shumë viktima të dhunës seksuale, viktima të dhunës në familje, viktima të dhunës psikike dhe viktima të dhunës ekonomike”, tha ajo.

Sipas Breznicës, deri më tani nuk ka pasur dënime meritore që do ta parandalonin dhunën.

Ajo po ashtu tha se ligji aktual kundër dhunës nuk është në përputhje më Konventën e Stambollit dhe sipas saj kemi një dështim institucional pasi që shteti nuk po arrin që viktimave t’iu krijojë banim dhe punësim që do t’i bënte ato të pavarura.

“Kur flasim për ligjet, nuk është parë deri tash që ka pasur ndonjë dënim meritor në rastet e dhunës në familje e as të femicitit. Dhunuesi dënohet me 300 euro gjobë dhe ngacmuesi apo abuzuesi seksual dënohet me 50 euro gjobë, normalisht që nuk kemi dënime meritore të cilat i inkurajojnë gratë që të raportojnë dhunën. Këto dënime janë dekurajuese që ato të vazhdojnë tutje në procese gjyqësore. Rrjeti i Grave është dëshmitare e shumë rasteve të cilët zyrtarët policorë mundohen t’i dekurajojnë në stacion të policisë që të hapin rastin. Lënë shumë edhe për të dëshiruar konfidencialitetin se si e mbrojnë zyrtarët tanë”, tha ajo.

“Jemi duke e pritur Ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore. Në një masë të madhe, ligji nuk është në Përputhje më Konventën e Stambollit. Ligji kryesor i cili e trajton dhunën nuk e kemi në vijë të njëjtë me Konventën e Stambollit. Jemi duke pritur nëse komentet do të merren parasysh apo do të adresohen”.

“Vonesat e tilla nuk janë aq të mira pasi që rastet vazhdojnë që të ndodhin edhe nuk ka ndonjë mënyrë efikase se si ato të trajtohen. Gratë kthehen në mjedise abuzive, kjo është një dështim institucional pasi që shteti nuk po arrin që atyre të ju krijojë ndonjë banim, apo ndonjë pagesë të qerasë apo edhe punësim që do t’i bënte të pavarura”, tha ajo.

Balje: Gjendja është alarmante, Ligji për mbrojtje nga dhuna në familje dhe në baza gjinore parasheh dënime më të rënda

Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës, tha se janë në pritje të hyjë në rend dite për votim Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore, i cili sipas saj parasheh dënime të ashpra ndaj dhunuesve.

“Me shifrat të cilët janë zyrtare kemi mbi 2700 viktima të dhunës në familje vetëm vitin e kaluar. Ky vit, për fat të keq, përsëri ka filluar me vrasje të femrave… Vërtet e kemi një gjendje shumë alarmante”.

“Jemi duke punuar shumë, por problemi është kompleks. Nuk është aq e lehtë, duhet që të aktivizohet komplet sistemin, jo vetëm një adresë. Dhe në fakt duhet që të fillohet nga shtëpia”.

“Ne si komision kemi vendosur që të marrim hapa konkretë. E para jemi duke pritur votimin e parë të Ligjit kundër dhunës në familje edhe grave. Jemi duke pritur që të hyjë në rendin e ditës edhe pas leximit të parë ne mundemi të ulemi dhe të dizajnojmë ligjin. Do të thotë jemi duke pritur një ligj shumë më stabil edhe shumë më konkret për implementim në terren”, tha ajo./Alsat.mk/

Read Previous

Tragjedi në Zvicër, burri vret gruan dhe tre vajzat e tij, më pas veten

Read Next

“Shkova në Tiranë 6 ditë e netë, derë më derë shazoten e nuk ma dhanë lejen me shkue me vorros tem vlla”