Shkolla e parë shqipe në Kosovë

Kur flasim për fillet e arsimit shqip, na kujtohet mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë që u hap në vitin 1887. Por, studiues vendorë e të huaj flasin për një shkollë shqipe më të hershme, që daton qysh prej shekullit XVI në Kosovë.

Bëhet fjalë për Kolegjin e Shën Llukës, që u themelua në vitin 1584 në fshatin Stubëll të Vitisë.

Ndërkaq, libri më i vjetër që ruhet në këtë shkollë, është një libër filozofik i autorit Heinrich Cornelius Agrippa, i botuar në vitin 1638, kurse libri më i vjetër në gjuhën shqipe që ka ky muze ka është “Doktrina e Krishterë”, botim i vitit 1877.

Ani pse aktualisht nuk ka ndonjë kopje të materialit të lartpërmendur në gjuhën shqipe të vitit 1584, rikujtojmë se në vitin 1555 veç se ishte zbuluar “Meshari” i Gjon Buzukut, që konsiderohet si libri më i vjetër në gjuhën shqipe.

Në vitin 1905, kjo shkollë filloi të udhëhiqej nga mësuesi Dom Mikel Tarabulluzi, busti i të cilit gjendet në oborrin e shkollës. E në vitin 1906, numri i nxënësve në këtë shkollë kishte arritur në 42, prej tyre 25 djem dhe 17 vajza.

Këtë e dëshmon letra e mësuesit Dom Mikel, drejtuar konsull gjeneralit të Austro-Hungarisë në po të njëjtin vit.

Pavarësisht se ishte themeluar nga klerikë fetarë, atë kohë mësoheshin edhe lëndë shoqërore e shkencore, këtë e dëshmojnë edhe një pjesë e librave që ruhen në muze.

Përveç “Doktrinës së Krishterë”, në shkollën e parë të Stubllës mësohej lexim, matematikë, histori, gjeografi e lëndë të tjera të ngjashme sikur sot.

Këtë e dëshmojnë edhe librat “Numeratore”, “Këndime për shkollat e para të Shqipërisë”, “Këndimet e çunave” por edhe abetarja shqipe e vitit 1886, e botuar në Bukuresht. /KultPlus.com

Read Previous

Tre të lënduar dhe 400 mijë familje mbesin pa energji elektrike, shkak stuhitë e forta

Read Next

Sport, muzikë e kulinari, Pogradeci çel sezonin turistik