Shembet një urë, veturat bien në ujë (VIDEO)

|Photo: CNN|

Një urë e madhe në Baltimore të Shteteve të Bashkuara është shembur pasi u godit nga një anije e madhe të martën në mëngjes, dhe si pasojë disa vetura ranë në lumin nën të.

Ekipet e shpëtimit thanë se janë duke i kërkuar së paku shtatë njerëz në ujë.

Anija e goditi njërën prej shtyllave mbajtëse të urës Francis Scott Key, duke e shkaktuar shembjen e saj. Anija shpërtheu në zjarr për pasojë.

“Kjo është një gjendje serioze emergjente”, tha Kevin Cartwright, drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore.

“Përqendrimi ynë tani është të tentojmë t’i shpëtojmë këta njerëz”, tha Cartwright.

Ai tha se është shumë herët të dihet se sa njerëz janë prekur nga ky incident, por ekipet e shpëtimit janë duke i kërkuar shtatë njerëz në ujë dhe e cilësoi shembjen e urës si “një ngjarje që mund të ketë shumë viktima”.

Carwright tha se anija quhej “Dali”. Ajo po lundronte përmes Baltimore në drejtim të Kolombos në Shri Lankë, sipas autoriteteve. Sipas një zyrtari të Rojës Bregdetare të Baltimore, anija po lundronte nën flamurin e Singaporit, raportoi radio WTOP.

“Të gjitha korsitë nga të dyja drejtimet janë mbyllur për shkak të incidentit në I-695 Bridge”, thanë autoritetet e transportit në Mariland.

Kryetari i Baltimore, Brandon Scott, tha se ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe se kanë nisur operacionet e shpëtimit. /Radio Evropa e Lirë/

Read Previous

Formacioni i mundshëm i Kosovës përballë Hungarisë

Read Next

​Ministri kroat i Mbrojtjes nesër në Kosovë