Presidenti Donald Trump ka rritur normën e tarifës për importet nga Kanadaja në 35%, nga 25%, duke filluar nga e premtja.
Njoftimi nga Shtëpia e Bardhë të enjten vonë tha se Kanadaja kishte dështuar të “bëjë më shumë për të arrestuar, sekuestruar, ndaluar apo ndryshe për të kapur … trafikantët, kriminelët në arrati dhe drogat e paligjshme”, raporton AP.
Më herët të enjten, presidenti tha se njoftimi i Kanadasë se do të njohë një shtet palestinez do ta bënte “shumë të vështirë” për Shtetet e Bashkuara të arrijnë një marrëveshje tregtare me fqinjën veriore. Trump ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për deficitin tregtar me Kanadanë, i cili kryesisht pasqyron blerjet e naftës nga Amerika.
Trump e ka tallur Kanadanë për muaj të tërë dhe ka sugjeruar që ajo të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve. Ai kishte kërcënuar se do të vendoste tarifën më të lartë, nëse nuk arrihej një marrëveshje deri të premten, afati i fundit që kishte caktuar për arritjen e marrëveshjeve tregtare me dhjetëra vende.
Kryeministri Mark Carney kishte zbutur pritshmëritë për tarifat, duke thënë se Otava do të binte dakord për një marrëveshje “vetëm nëse ka një të tillë që është në interesin më të mirë të kanadezëve.”
Në një deklaratë të publikuar herët të premten, ai tha se ishte i zhgënjyer nga veprimet e Trump-it dhe premtoi të diversifikojë eksportet e Kanadasë.