Kanadaja dhe Ukraina zgjerojnë bashkëpunimin për prodhimin e dronëve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën dje sanksione të reja ndaj individëve dhe organizatave që mbështesin milicitë e lidhura me Iranin, në kuadër të përpjekjeve për të rritur izolimin ekonomik të Teheranit.
Masat amerikane synojnë organizata dhe persona që mbështesin Kataib Hezbollahun, një milici e armatosur në Irak, si dhe Hezbollahun në Liban, njoftoi Departamenti amerikan i Thesarit.
Departamenti i Thesarit, i drejtuar nga sekretari Scott Bessent, i akuzoi këto grupe se po forcojnë ndikimin e Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe po e ndihmojnë Teheranin, të shmangë sanksionet ndërkombëtare.
Organizatat dhe individët e përfshirë në sanksione, ndodhen në Irak, Liban, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqi.
“Masat e sotme godasin në qendër grupet më të rrezikshme të mbështetura nga Irani”, deklaroi Departamenti i Thesarit.
Çfarë është Kataib Hezbollahu dhe “Boshti i Rezistencës”?
Departamenti amerikan i Thesarit e përshkruan Kataib Hezbollahun si një nga grupet kryesore të armatosura në të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës”, një rrjet grupesh dhe milicish në Lindjen e Mesme që mbështeten nga Irani.
Në këtë rrjet përfshihen edhe Houthit në Jemen, të cilët janë përfshirë në konfliktin e armatosur në vend.
Irani i mbështet Houthit, ashtu si Hezbollahun në Liban, duke u ofruar armë, teknologji, ekspertizë dhe ndihmë financiare.
SHBA godet edhe kompanitë ajrore iraniane
Sanksionet e fundit vijnë vetëm dy ditë, pasi Uashingtoni vendosi masa ndaj disa prej kompanive kryesore ajrore të Iranit.
Në listën amerikane të sanksioneve u shtuan 27 kompani ajrore iraniane, mes tyre “Kish Airlines”, “Iran Air Tour” dhe “ATA Airlines”.
Disa prej kompanive më të mëdha ajrore iraniane, përfshirë “Mahan Air”, “Iran Air” dhe “Meraj Air”, ishin tashmë nën subjektin e sanksioneve amerikane.
Masat e reja e zgjerojnë ndjeshëm fushatën e Uashingtonit kundër sektorit të transportit ajror të Iranit, duke përfshirë një pjesë shumë më të madhe të industrisë së aviacionit të vendit.
Edhe kompanitë dhe bankat e huaja mund të përballen me pasoja, nëse vazhdojnë të bëjnë biznes me kompanitë ajrore iraniane të përfshira në listën e sanksioneve. /ATSH-DPA/