Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Europa të marrë përsipër pjesën më të madhe të kapaciteteve të mbrojtjes konvencionale të NATO-s, nga inteligjenca deri te raketat, deri në vitin 2027, sipas zyrtarëve të Pentagonit të cilët këtë javë diskutuan me diplomatë evropianë në Washington. Afat, që u duk i pamundur për disa zyrtarë evropianë.
Siç shkruan Reuters, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se nuk janë ende të kënaqur me përparimin që Europa ka bërë pas zgjerimit të pushtimit rus të Ukrainës në 2022. Ata kanë paralajmëruar se nëse Europa nuk e arrin këtë objektiv deri në 2027-ën, SHBA-të mund të tërhiqen nga disa mekanizma koordinimi të mbrojtjes së NATO-s.
Kapacitetet konvencionale përfshijnë të gjitha mjetet ushtarake jo-bërthamore, nga trupat te armatimet.
Zyrtarët amerikanë nuk shpjeguan se si do të matet progresi i Europës. Nuk është gjithashtu e qartë nëse afati i 2027-ës reflekton pozicionin e administratës së Trump-it apo vetëm pikëpamjet e disa zyrtarëve të Pentagonit.
Europa, sipas disa zyrtarëve, nuk mund ta përmbushë këtë afat vetëm me para dhe vullnet politik, pasi ka mungesa në prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe vonesa të dorëzimit të sistemeve më të avancuara amerikane. Shumë nga kapacitetet që SHBA-të ofrojnë, si inteligjenca dhe mbikëqyrja e avancuar, nuk mund të zëvendësohen thjesht me blerje.
Europa dhe NATO
Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se aleatët europianë kanë nisur të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, por nuk ka dhënë koment mbi afatin e vitit 2027.
Bashkimi Europian synon ta bëjë kontinentin të gatshëm për mbrojtje deri në vitin 2030, duke plotësuar boshllëqet në mbrojtjen ajrore, dronët, luftën kibernetike, municionet dhe fusha të tjera.
Marrëdhëniet SHBA-NATO
Administrata Trump ka kërkuar vazhdimisht që Europa të kontribuojë më shumë në NATO, por qëndrimi i presidentit mbi aleatët nuk ka qenë gjithmonë i qartë. Gjatë fushatës 2024, Trump kritikoi shpesh Europën dhe madje tha se do të inkurajonte Presidentin rus Vladimir Putin të pushtonte vendet e NATO-s që nuk investojnë mjaftueshëm në mbrojtje.
Por në samitin e NATO-s në qershor të këtij viti, ai lavdëroi udhëheqësit europianë për rritjen e shpenzimeve në 5% të PBB-së.
Zëvendës-sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, tha se është “e qartë” se aleatët e NATO-s duhet të marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e Europës. Ai shtoi se administrata aktuale “e ka seriozisht atë që thotë”, duke nënvizuar rëndësinë e ndarjes së barrës midis SHBA-ve dhe Evropës. /Reuters/tvklan.al