Scholz sot në Kosovë, mesazhet që pritet të përcjellë

Kancelari gjerman Olaf Scholz do të qëndrojë paraditen e sotme në Prishtinë ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti (ora 10:45), si dhe së bashku do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për media. Kancelari pritet të takojë edhe kontingjentin gjerman të trupave të KFOR-it.

Pozitë dhe opozitë presin nga kancelari Scholz mesazh të qartë për liberalizimin e vizave, mbështetje ndaj Procesit të Berlinit dhe intensifikim të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.

Duke komentuar vizitë kancelarit Scholz në Kosovë, kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme tha se pret një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit.

“Një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit, ku jemi të gjithë të barabartë dhe ku përshpejtohet anëtarësimi i të gjitha vendeve, duke u bazuar në respektimin e sundimit të ligjit, demokratizmit, luftimit të korrupsionit dhe ballafaqimit me të kaluarën, meqenëse kemi në Serbi një pushtet që mohon masakrën e Reçakut dhe nuk ka bërë asgjë në raport me kriminelët e luftës, të cilët vazhdojnë atje të jenë të lirë dhe pamenduar, përveç të pandëshkuar”, tha Kurti.

Deputetja opozitare e AAK-së, Time Kadrijaj, kërkoi që institucionet e Kosovës të shfrytëzojnë momentumin e përkrahjes ndërkombëtare për të shtyrë përpara temat si liberalizimi i vizave dhe dialogu.

“Është një disponim i mirë për çështjen e liberalizimit të vizave, përveç disa vendeve që kanë hezitime për çështjen e liberalizimit të vizave, disa janë në procese zgjedhore… Në çështjen e dialogut të përfshihen edhe vendet tona, siç janë një emisar nga ShBA, që e kemi aleatin më të madh dhe kryesor. Fatmirësisht ne kemi një emisar, të njëjtin e kemi edhe nga Gjermania dhe Britania e Madhe. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë momemtun dhe prej dialogut teknik të kalohet në dialog politik”, thotë ajo për KosovaPress.

Nga ana tjetër, drejtori i institutit Epik, Demush Shaha paraqet tri mesazhet kryesore që mund t’i adresojë kancelari gjerman gjatë vizitës në Kosovë.

“Kancelari Scholz dëshiron të nënvizojë se ky rajon është i një rëndësie të veçantë për të personalisht si kancelar. I dyti mesazh është sa i përket rëndësisë së stabilitetit të rajonit dhe vijimësisë së rrugës së tij drejt BE-së. Ky mesazh në veçanti do të sforcohet në kuptimin e zhvillimeve që po ndodhin në Ukrainë, në këtë sfond kancelari do të nënvizojë rëndësinë e avancimit të Procesit të Berlinit dhe qëllimit të tij që në pjesën e dytë të këtij viti të mbajë samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Ky do të jetë mesazhi i tij i dytë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm dhe mjeti kyç do të jetë Procesi i Berlinit. Mesazhi i tretë do të jetë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi si një nga elementet më të rëndësishme të stabilitetit rajonal. Këtu kancelari gjerman do të përsërit atë që e ka thënë në Berlin që sa më shpejtë është me rëndësi që të avancohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve”, shton ai.

Kryeministri Albin Kurti, javë më parë pati një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u prit në takim nga kancelari Scholz.

Read Previous

​Vizita e Scholz, disa segmente rrugore do të mbyllen përkohësisht

Read Next

​144 vjet nga formimi i Lidhjes së Prizrenit