Rritja e çmimit të energjisë, vendet e BE kërkojnë përgjigje të koordinuar

Spanja, Franca dhe Greqia bënë thirrje të hënën që Bashkimi Europian të ketë një përgjigje të përbashkët në lidhje me rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë. Mes rritjes së kërkesës dhe një rimëkëmbje të beftë të ekonomisë, çmimi i gazit natyror dhe energjisë është rritur ndjeshëm, me efektet që po peshojnë rëndë te miliona familje rreth kontinentit.

Ministrat e BE-së u takuan në Luksemburg për të diskutuar këtë çështje.

“Kjo nuk është një çështje që ne mund ta trajtojmë në nivel kombëtar, pasi kemi nevojë për një përgjigje të koordinuar evropiane”, tha Nadia Calvino, Ministre e Financave në Spanjë.

“Rritja e çmimit të energjisë është bërë i papërballueshëm për qytetarët, dhe kërkon një përgjigje europiane”, tha ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.

Megjithatë, gjetja e një zgjidhjeje nuk do të jetë e thjeshtë, me Bashkimin Europian që jo vetëm do të duhet të frenojë rritjen e çmimeve, por edhe të garantojë më shumë investime në energjinë e rinovueshme për të vijuar me tranzicionin e gjelbër.

Franca bashkë me Italinë, Greqinë dhe Spanjën, po planifikojnë të lehtësojnë pagesat për familjet në nevojë. Zyrtarët dhe disa ministra të BE-së theksojnë se rritja e çmimeve është e përkohshme. Çështja e energjisë në BE lidhet edhe me debatet më të ndjeshme sa i takon varësisë nga gazi rus dhe si të vazhdohet me kalimin në energjinë e rinovueshme.

Norma vjetore e inflacionit në 19 vendet që përdorin euron u rrit në 3.4 për qind në shtator, e nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë. Hera e fundit që inflacioni ishte kaq i lartë ishte shtatori i vitit 2008.

/A2news/

Read Previous

OKB paralajmëron një tjetër krizë: 5 miliardë persona nuk do të kenë qasje në ujë

Read Next

​Kurti takon Plenkoviq, diskutojnë raportet Kosovë-Kroaci